Shitet gazeta “Mapo”, ky është pronari i ri me lidhje të forta politike

702
0
Themeluesi i gazetës “Mapo” dhe një herësh pronar i saj, Henri Çili, ka njoftuar shitjen e kësaj gazete dhe të gjitha botimeve që mbajnë logon MAPO. Kështu gazeta e përditshme Mapo e themeluar në 2010 nuk do të jetë më nën drejtimin e Henri Çilit apo Institutit Pashko që ishte shumë pranë Universitetit Europian të Tiranës. “Nga sot botimet Mapo, deri në 31 dhjetor 2019 botim i Institutit Europian Pashko, do të jenë pjesë e botimeve të kompanisë Mapo Media sh.p.k. Nga sot gazeta MAPO dhe botimet e tjera MAPO shkojnë drejt një projekti të ri menaxherial, drejt një forme të re të organizimit juridik dhe sigurisht drejt një pronësie të re”, shkruan Henri Çili në një editorial të fundit në gazetën online. Ndërkohë burime bëjnë me dije se gazeta “Mapo”, tashmë do të jetë në pronësi të Beqir Nuredinit, kryebashkiakut të Rrogozhinës. Beqir Nuredini është i zgjedhur nën siglën e PDIU-së. Shkrimi i plotë i Henri Çilit Nga sot, nis një rrugë e re për botimet MAPO, nis një histori e re Nga sot botimet Mapo, deri në 31 dhjetor 2019 botim i Institutit Europian Pashko, do të jenë pjesë e botimeve të kompanisë Mapo Media sh.p.k. Nga sot gazeta MAPO dhe botimet e tjera MAPO shkojnë drejt një projekti të ri menaxherial, drejt një forme të re të organizimit juridik dhe sigurisht drejt një pronësie të re. Për mua, si themelues i gazetës Mapo në 5 korrik 2010 dhe zhvillues i kësaj logoje, e cila e kishte nisur botimin si një revistë që në tetor 2006, është një kënaqësi dhe emocion i veçantë të lajmëroj rikthimin e botimeve Mapo brenda industrisë së shtypit, duke kaluar pra nga botim, i Institutit Europian Pashko, nga organizatë jofitimprurëse, drejt një kompanie private, si një pikënisje e një projekti të ri zhvillimi. Ky emocion, në pozicionin e botuesit, apo aq më tepër për shkak të tipareve të mia profesionale, si një njeri i ardhur nga bota e gazetarisë dhe e komunikimit; duke qenë drejtor i gazetës apo editorialist, e bën këtë emocion të trefishtë. Së pari, kam qenë i mendimit se titujt e medias dhe shtypit shqiptar nuk duhet të zhduken, por duhet të evoluojnë, të zhvillohen dhe kjo nënkupton shpeshherë ndërrimin e pronësisë. Kjo bën pjesë te tradita e qytetërimit perëndimor, kjo është pjesë e një kulture, e cila nuk zhbën gjërat që krijohen në të kaluarën. Është fatkeqësi për shtypin shqiptar që pothuajse nuk ekziston asnjë titull i periudhës së pavarësisë, asnjë titull i viteve ‘20-40, as një titull i periudhës së komunizmit madje edhe shumë pak tituj të viteve të para, të dekadës së parë të tranzicionit shqiptar. Shpresoj që me MAPO-n dhe me fazën e re të zhvillimit të saj, të kemi kontribuuar modestisht që të thyhet kjo traditë e keqe e zhdukjes pambarim dhe e krijimit pambarim të titujve në median shqiptare. Së dyti, shpresoj që MAPO, gjatë gjithë këtyre viteve, të paktën që nga periudha e vitit 2010 ku unë kam qenë themelues i gazetës së përditshme, formateve apo suplementeve të saj, të ketë qenë një prezencë e bukur në median shqiptare. Të paktën ky ka qenë qëllimi im apo i stafeve tona. Në faqet e mediave tona janë zhvilluar tema, debate, ide apo platforma të interesit publik me një rëndësi të dorës së parë. Në faqet e MAPO kanë shkruar emra nga më të rëndësishmit e medias dhe botës intelektuale e akademike shqiptare dhe në këto vite. Mapo besoj se është përpjekur modestisht të luajë një rol në zhvillimet e jetës publike në Shqipëri duke mbrojtur gjithmonë interesin publik, duke qenë koherente nga pikëpamja e ideve liberale, duke qenë e prirur nga pozitivja. Së treti, industria e medias ka dinamikat e saj. Teknologjia, sidomos faktorët e rinj të komunikimit, kanë krijuar një raport të ri në 5 vitet e fundit, kanë evoluar shumë. Raporti me shtypin e shkruar është përmbysur katërçipërisht pas një tradite 200 e ca vjeçare të shtypit të shkruar në shoqëritë perëndimore. Ky raport i ri i ka lëvizur të gjitha parametrat intelektualë, menaxherialë dhe ekonomikë, dhe si pasojë gjatë këtyre viteve me Mapo-n jemi përpjekur të përshtatemi me këtë dinamikë të re, duke e subvencionuar financiarisht një projekt mediatik me humbje si shumica dërrmuese e shtypit të shkruar. Pikërisht këtu qëndron arsyeja e kësaj forme të re të organizimit të botimeve tona, drejt një projekti të ri menaxherial, drejt një forme të re juridike dhe sigurisht drejt një pronësie të re. Kështu Mapo ia vlen t’i rikthehet industrisë së medias; të zhvillohet mbi parametra tipikë menaxherialë dhe të tregut të medias duke futur konceptet, përshtatjet e reja, gazetarinë online apo dhe të gjithë ata mekanizma që do ta bënin edhe më tej një titull dinjitoz të përhershëm, shpresoj të përjetshëm, në peizazhin mediatik shqiptar. Urime MAPO- për rikthimin në industrinë e medias shqiptare, duke besuar se forma e re e pronësisë dhe pronësia e re, si dhe ekipi i deritashëm, do t’u japin këtyre botimeve, kësaj logoje një rëndësi, cilësi, evoluim dhe prezencë më të madhe. Ndërkohë, Instituti Europian Pashko, do të vijojë misionin e tij edhe më tej, për të mbështetur liberalizimin, edhe më fort; edhe më të bindur; edhe më të qartë, përmes projektesh të reja, tipike për think tank-et perëndimore të pozicionuara ideologjikisht, tek idealet, te vlerat që besonte në fillimet e demokracisë profesor Pashko-emrin e të cilit mban plot nderim instituti ynë.