Dita e sotme dominohet nga vranësira të dendura dhe reshje me intensitet mesatar, të cilat deri në mesditë shfaqen herë pas here në formën e rrebesheve. Reshjet më të dendura janë regjistruar në orët e para të mëngjesit.
Nga pasditja pritet dobësim gradual i sistemit të reshjeve. Çdo orë që kalon gjatë mbrëmjes do të ketë më pak shi, ndërsa gjatë natës reshjet do të ndërpriten fillimisht në vijën bregdetare dhe më pas në të gjithë territorin.
Gjatë ditës janë rishfaqur edhe reshjet e dëborës, më të dukshme në zonat verilindore dhe më pak në juglindje. Me rënien e temperaturave në orët e pasdites, harta e dëborës zgjerohet, duke përfshirë më shumë zona në lindje të vendit, megjithëse sasitë nuk pritet të jenë të mëdha.
E mërkura sjell ndërprerje të reshjeve, por edhe rënie të ndjeshme të temperaturave. Në zonat malore minimalet zbresin në -3 deri -4°C, ndërsa maksimumet nuk pritet të kalojnë 13°C, kryesisht në jugperëndim. Temperaturat negative në gjysmën lindore do të sjellin rrezik ngricash në akset rrugore.
Të enjten, deri në pasdite, moti paraqitet më i qëndrueshëm me intervale kthjellimesh dhe kalime vranësirash. Minimalet zbresin rreth -2°C, ndërsa maksimumet ngjiten në 14–15°C. Vonë pasdite dhe në mbrëmje rikthehen vranësirat, me mundësi për reshje të pakta shiu dhe dëbore të alternuara në skajin verior dhe jugor.
E premtja do të jetë sërish me mot të paqëndrueshëm dhe reshje, herë pas here në formën e rrebesheve. Temperaturat në mëngjes në zonat malore luhaten rreth 1–2°C, ndërsa maksimumet arrijnë deri në 17°C. Fundjava jep sinjale për përmirësim të dukshëm të motit, edhe pse mëngjeset do të jenë 3–4 gradë më të ftohta.
Një tjetër element problematik këtë javë mbetet era. Sot pritet të jetë shumë e fortë, sidomos në pasdite, me shpejtësi që në det të hapur kalon 90 km/h. Në qytete bregdetare si Durrësi, Vlora dhe Saranda, era mund të arrijë mbi 65 km/h. Një qetësim i përkohshëm pritet të mërkurën, por të enjten era forcohet sërish, duke kaluar 75 km/h.