“Shezlongu 50 euro. Ore janë në terezi këta?!”

7475
0

Nga Edlira Ruzi

Sapo kalova një fundjavë në plazhin e Golemit dhe duhet ta pranoj se ishte befasuese. Kryesisht për mirë.

Të gjithë banorët e komplekseve, që riktheheshin pas ca muaj shiu, panë se dikush kishte punuar edhe këtyre anëve dhe rrugët e trotuaret ishin rregulluar, por më së shumti qenë ndërtuar nga e para. Kishte mjaftuar ky sistemim që kjo zonë të merrte pamje tjetër.

Megjithëse qershor, hotelet vazhdonin të kryenin ndonjë punë të lënë pasdore, por ndërkohë ishin plot më turistë të huaj.

Përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe rifreskimet e fasadave apo i arredimeve kishin sjellë dhe rritje çmimesh.

Përveç atyre që vlerësonin faktin se po investohej e gjërat po lëviznin, kishte dhe të pakënaqur.

Por pjesa më e madhe e të pakënaqurve zakonisht zhgënjehen nga çfarë u ofrohet prej strukturave.

Çmimi është i dyti që përmendet, pasi në momentin që ke hyrë, e ke ndarë mendjen që do të paguash. Kështu që çështja mbetet raporti cilësi-çmim. Nuk i përkas kategorisë që vjell vrer kur sheh çmime të larta.

Thjesht largohem kur s’ma mban xhepi ose largohem e zhgënjyer kur vlerësoj se çmimi nuk justifikohet nga ajo çka ofrohet. Siç bëra dhe në këtë rast, kur shezlonget dhe çadrat me kasafortë ishin 20 euro e sipër.

Por secili ka metrin e tij, dhe në të tilla raste metri ynë është subjektiv, aq sa do të ishte turp të bërtisje e të mallkoje. Pronarët në një ekonomi si kjo e jona, tentojnë fitime të majme në kohë rekord.

Por edhe kjo mbetet e drejta e tyre përsa kohë që do të ketë klientë të gatshëm të paguajnë.

Ndërsa mua më mbetet të zhgënjehem dhe fort madje kur “cilësoren” më 50 euro e ndan vetëm një litar nga “jocilësorja” prej 300 lekësh. Një hap më tutje dhe gjithçka është më e lirë.