Gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë të mbrëmjes së sotme në formatin Big Brother Albania, ndodhi një akt i papranueshëm dhune, ku Jozi pasi është eliminuar, sulmoi fizikisht Gjestin në momentin e daljes nga shtëpia. Ky veprim u transmetua në kohë reale dhe u ndoq nga një publik i gjerë kombëtar.
Pas incidentit, prezantuesi i spektaklit, Ledion Liço, reagoi drejtpërdrejt me një deklaratë përpara publikut:
“Një akt i dhunshëm, i papranueshëm dhe thellësisht shqetësues ndodhi në një moment që duhet të ishte fundi i një përvoje, jo fillimi i një reagimi të tillë. Kjo sjellje nuk përfaqëson vlerat e Top Channel dhe as ato të Big Brother Albania.”
“Ky incident nuk ishte i organizuar, i nxitur apo i parashikueshëm nga produksioni. Realiteti i një formati live mbart të papritura, por kjo nuk e justifikon kurrë dhunën.”
Menjëherë pas ngjarjes, personi përgjegjës është përjashtuar përfundimisht nga çdo përfshirje e mëtejshme në program dhe është shoqëruar nga autoritetet përkatëse në komisariat, ku janë duke u ndjekur procedurat ligjore në përputhje me legjislacionin në fuqi. Protokollet e sigurisë dhe të transmetimit janë në proces rishikimi të plotë, dhe çdo masë e nevojshme do të ndërmerret për të garantuar që situata të tilla nuk do të përsëriten në të ardhmen.
Top Channel njofton se do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me institucionet përgjegjëse dhe do të mbajë publikun të informuar për çdo zhvillim të mëtejshëm. Integriteti i përmbajtjes, siguria e pjesëmarrësve dhe respekti për audiencën mbeten parime themelore të punës së këtij institucioni mediatik.