Sekuestrohen 125 mijë euro në portin e Durrësit, arrestohen dy shoferët shqiptarë, ja ku i kishin fshehur

164
0

Sekuestrohen 125 050 euro të padeklaruara në portin e Durrësit. Shuma e parave u zbulua gjatë kontrollit nga Policia Kufitare në autobusin e linjës Bari-Durrës, të cilat ishin fshehur poshtë  sediljeve.

Gjithashtu janë arrestuar dy shoferët e autobusit, shtetasit: Dritan. Malaj 53 vjeç, banues në Vlorë dhe Judmir. Osmëni. 31 vjeç, banues në Fier. Këta dy shtetas akuzohen për veprat penale: “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë”

Njoftimi i Policisë:

Port Durrës/Kontrolle intensive, bazuar në analizën e riskut dhe në inteligjencën informative, për goditjen e krimeve ndërkufitare.

Falë kontrolleve dhe bashkëpunimit efikas mes strukturave të Policisë së Shtetit dhe autoriteteve doganore, si dhe inteligjencës informative të siguruar nga Policia e Shtetit, goditet, në hyrje të portit të Durrësit, një tjetër rast rast i mosdeklarimit të një shume të madhe eurosh.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Linja”. Sekuestrohen 125 050 euro.

Vihen në pranga 2 drejtuesit e autobusit të linjës Bari-Durrës.

Shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financare në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës dhe me autoritetet doganore, në zbatim të masave për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë intensifikuar kontrollet si në dalje, ashtu edhe në hyrje, në portin e Durrësit.

Si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar në analizën e riskut të bërë nga ana e shërbimeve të Policisë Kufitare dhe në inteligjencën informative të siguruar nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare të DVP Durrës, në hyrje, është kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, autobusi i linjës Durrës-Bari-Durrës, që drejtohej nga shtetasit D. M., 53 vjeç, banues në Vlorë dhe J. O., 31 vjeç, banues në Fier.

Gjatë kontrollit në autobus, poshtë 2 sediljeve, u gjetën të ngjitura me natriban 67 460 euro.

Gjatë kontrollit fizik, shtetasit D. M. iu gjetën 9 500 euro, ndërsa shtetasit J. O. iu gjetën 48 090 euro.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithsej 125 050 euro.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare të DVP Durrës arrestuan në flagrancë shtetasit D. M. dhe J. O., për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë” dhe materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.