O Salvini, o vëlla,
Na e bëj hallall që të drejtohemi kështu. Donim të drejtoheshim me emër, me Matteo, në fillim por pastaj u ngatërruam a e ke me një T a me dy T, ndaj e lamë me “o vëlla”. Po ti mos e merr për mungesë respekti se ne kështu iu drejtohemi të gjithëve. Edhe kur të shajmë nga motra në muhabet e sipër, mo e merr me gjithë mend a të …. , nejse. Se ku e dimë ne se kush është motra jote. E bëjmë kështu, si për të ulur gjakrat, apo tensionet si i thonë nashi së fundmi.
Ne edhe nuk para na del koha të lexojmë gazeta të mësojmë kush është ministër këtu, lere pastaj ai i Italisë. Ne punë me kuestorin e Barit dhe të Leçes kemi. Po dëgjuam këtë dhëndërin tonë Lulin, që ishte gëzuar se paske kërcënuar mafiozët e Italisë se do ti lije pa brekë. Po mirë do ia u bësh a të….., nejse. Kishe thënë që do iu digjie skafet! Po digjiau a të…., nejse. Po iu janë tharë duart atyre, mirë ia u bën.
Aty lexuam se kishte marrë zemër edhe ky dhëndri jonë dhe ka thënë që kur të vijë në pushtet edhe ky si puna jote do djegë skafet. Avash avash, dhëndër. Po do ndonjë të shpuar sa për thiatro si i thonë, janë ca në Triport. Merri digji se i kemi nxjerrë nga inventari. Edhe ta ndalojmë fare, nuk jemi kundra ne, derman. Vetëm një asistencë 5 mijë euro në muaj duam, dhe quaje muhabet të mbyllur. Po kështu në të thatë, që edhe ti djegësh edhe mos paguash, nuk vete. Nuk janë të gjithë Babale këtu, vëlla. Se vete keq hesapi.
Nejse, ne e kuptojmë që do t’iu japësh zemër atyre çiliminjve që ke nga pas. Po ti fol o fol, se kujt i ka ardhur vdekja nga fjalët, a të …… Pastaj sa të vish në pushtet ti, është rrugë e gjatë. Po edhe po erdhe, mos e nis me vrap të përpjetën se të merret fryma, derman, e mbetesh në mes të rrugës. Ja, pyet plakun që ke aty dhe të tregon. Ashtu e nisi edhe ai herën e parë, pastaj të dytën nxorri mësime.
Nashi kemi dëgjuar që ke filluar edhe shan këtë nipçen tonë lart e poshtë nëpër Evropë. Kujdes një çikë me gojën biro. Se edhe ne shajmë, mund ti themi edhe të ….udhët, por dihet që nuk e kemi me të vërtetë. Se kur e shajmë ne quhet qortim, se helbete na ka dajo. Po kur e shan ti është hesap tjetër se i bie që na shan motrën.
Nashi po e mbyllim na se kemi punë. Thuaj edhe pepinos që ta marrë shtruar. Se duken të kollajta gërxhet e Kalabrisë nga kodrat e Toskanës, evlat. Po ti marrësh me këmbë pastaj, është punë tjetër. Thuaja thuaja se gjaku ynë janë edhe ata kalabrezët, dhe mbase i shërben për këshillë atij milanezit.
Dëgjohemi nga shtatori. Po ke kohë dilna ndonjëherë këtej se dhëndër të kemi. Mos fli gjithë kohën gjumë. Hajde hamë ndonjë kërmë me raki apo ngjalë me verë të Nartës. Merr edhe ca reze dielli se shumë i verdhë je, dhe bëhesh gati për dimër./dritare.net