I gjithë territori i vendit është përfshirë nga reshje shiu dhe bore. Në zonat e ulëta ka patur reshje të dendura shiu deri në orët e para të ditës, ndërsa në zonat mbi 800 metra reshjet kanë qenë në formë bore, e cila ka sjellë probleme në qarkullimin e mjeteve.
Më problematike situata ishte në ByPassin e Qafës së Murizit në Rrugën e Arbrit, ku qarkullimi si pasojë e reshjeve të borës u bllokua përkohësisht, duke u rihapur më pas për qarkullim.
Reshje dëbore pati edhe në zonat e thella malore të juglindjes, si në Dardhë ,Voskopojë dhe Mokër.
Por ndryshe nga vitet e fundit, për sinoptikanët kjo është një Pranverë tipike e viteve ‘90 në Shqipëri.
“Është një Pranverë tipike ajo që po përjetojmë këtë vit në territorin shqiptar. Prezencën e reshjeve të shiut dhe dëborës në majat e maleve ku janë shfaqur në 900 metra mbi nivelin e detit”.
Tempertaurat të cilat janë ulur me 5 gradë do të na shoqërojnë edhe përgjatë fundjavës.
“Fundjava sjell një tjetër zhvillim të vranësirave prezente duke bërë që të kemi reshje shiu në ultësirën perëndimore, por edhe në zonat malore, ndërsa në zonat e thella malore do kemi reshje të pakta dëborë”.
Vetëm pas datës 22 Prill, Shqipëria do të jetë e përfshirë nga temperatura të larta deri në 23 gradë dhe ditë me diell.