Rudina Hajdari darkon me Edi Ramën dhe njofton krijimin e partisë së re “Bindja…”

962
0

E bija e Azem Hajdarit, Rudina, pasi refuzoi të dorëzojë mandatin e deputetes kur opozita i braktisi në bllok, po vazhdon planin e saj drejt karrieriës politike duke i bërë “opozitë” qeverisë së kryeministrit Rama.

E në këtë kuadër, Rudina dje ka darkuar me kryeministrin Edi Rama, ish kryeredaktorin e RD, Astrit Patozi dhe deputetin Myslim Murrizi, bëjnë të ditur burime që shtuan se takimi u bë pranë mjediseve të Kryeministrisë.

Sot në mëngjes, Rudina njoftoi partinë e re.

Pasi paralajmëroi se do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit, Rudina Hajdari, vajza e liderit të dhjetorit Azem Hajdari ka vendosur të krijojë këtë parti të re politike, emri i së cilës do të jetë “Bindja Demokratike”.

Pjesë e saj janë bërë që tani disa prej figurave që kanë qenë pjesë e Partisë Demokratike.

Mësohet se pjesë e saj do të jetë ish-deputeti i PD-së Astrit Patozi, i cili publikisht ka shprehur mbështetjen për aksionin politik të Rudina Hajdarit.

Ndërkohë mbetet për t’u parë nëse figura të tjera të së djathtës do t’i bashkohen kësaj lëvizjeje politike.

Vëllai i Rudinës, Kir Hajdari e refuzoi vendimin e të motrës për të mos djegur mandatin dhe u rendit përkrah liderëve të opozitës në protestat që vazhdojnë.

Nismëtarët janë drejt përfundimit të procesit të mbledhjes së 3 mijë firmave që nevojiten për të regjistruar një forcë politike.

Kurse javën e ardhshme partia më e re pritet të depozitojë kërkesën në gjykatë.

Mbetet ende e paqartë se si do të garojë në zgjedhje partia “Bindja…” pasi afati për regjistrimin e partive në zgjedhjet lokale të 30 qershorit skadon të martën më 23 prill 2919.

Megjithatë Kodi Zgjedhor krijon mundësi edhe për garë me kandidatë të pavarur regjistrimi i të cilëve ka afat deri në 13 maj 2019.

Kjo nuk është hera e parë që Partia Demokratike çahet e prej saj krijohen parti të reja siç është rasti i partisë se drejtuar nga Genc Pollo, Partia Demokratike e Reformuar apo edhe rasti i Bamir Topit me Frymën e Re Demokratike, por kjo është hera e parë që një ndarje e tillë ndodh gjatë drejtimit të PD-së nga Lulzim Basha.