Rruga e re/ Balluku: Në të gjithë botën autostradat janë me pagesë!

255
0

Segmenti Thumanë-Kashar ka qenë temë debati në seancën plenare të ditës së hanë mes deputetes së opozitës Greta Bardeli dhe Ministres së Energjisë dhe infrastrukturës, Belinda Balluku.

Deputetja Bardeli ngriti si shqetësim të qytetarëve traun që do të vendoset në aksin Thumanë-Kashar, ku qytetarët pas përfundimit të rrugës do të paguajnë 2.5 euro për të kaluar në rrugë, duke e cilësuar një koncension korruptiv.

Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i ministres Balluku, e cila theksoi se taksimi i makinave në Shqipëri në rrugët e reja që do të ndërtohen është i njëjtë me çdo vend të Bashkimit Europian.

Ajo theksoi se qeveria shqiptare është zotuar dhe i ka vendosur si kusht kompanisë koncensionare që do të vjelë taksat në Thumanë-Kashar, se nuk mund të vendosë asnjë tra në rrugë, nëse nuk do të ketë rrugë dytësore, ku qytetarët të mund të zgjedhin.

Balluku: Pa dashur të ndalem tek zonja parafolëse, por të gjithë thonë të njëjtën vjershë.

Taksimi në rrugë nuk është një gjë e re, ajo do të funksionojë njëlloj si në çdo vend tjetër të BE-së.

Në të gjithë botën autostradat janë me pagesë. Ajo do të përdoret nga ana e drejtuesve të automjeteve, që duan të përdorin autostradat për shpejtësinë.

Ju kujtoj se qeveria shqiptare është zotuar që asnjë rrugë nuk do të ketë tra, në rast se nuk do të ketë një rrugë alternative.