Rritet tensioni në Egjé, 11 luftanije turke në kufirin me Greqinë

532
0

Tensionohen më tej marrëdhëniet mes Turqisë dhe Greqisë pas incidentit në Detin Egjé, ku një luftanije turke goditi një mjet lundrues të forcave greke, pranë ishullit grek të Imia-s, që pretendohet edhe nga Turqia.

Aromë lufte përreth ishullit të Imia-s. Kështu shkruan e përditshmja turke Huyrriet, që raporton se 11 anije luftarake turke po patrullojnë përqark ishullit që prej vitesh është kthyer në një mollë sherri mes Ankarasë dhe Athinës.

Polemikat pati edhe mes diplomacive të dy vendeve. Ministria e Jashtme turke reagoi duke thënë se Imia është territor turk, por kundërpërgjigja e grekëve nuk vonoi, duke thënë se turqit nuk njohin gjeografinë.

Përshkallëzimi i marrëdhënieve solli edhe reagimin e Departamentit Amerikan të Shtetit. Zëdhënësia e Sekretarit Tillerson, tha se SHBA-të njohin sovranitetin e dy vendeve sipas traktateve ndëkrombëtare, duke u bërë thirrje palëve të ulin tonet e t’u rikthehen normalitetit.

Kryeministrat e dy vendeve, Jëlldërëm dhe Cipras, zhvilluan një bisedë telefonike për të qetësuar situatën tejet delikate.

Tensionet në Egjé u ndezën pas paralajmërimit të ashpër të presidentit turk Rexhep Taip Erdoan ndaj Greqisë e Qipros, për shkak të disa kërkimeve për gaz pranë ishullit të Qipros.

“U bëjmë thirrje kompanive të huaja të mos shndërrohen në vegla të çështjeve që e kalojnë kufirin dhe forcën e tyre duke u besuar qipriotëve grekë. Shfaqja e tyre zgjat deri kur shohin anijet dhe avionët tanë luftarakë”.

Turqia kundërshton kërkimet që po kryen në një zonë detare që Ankaraja pretendon se i përket autoriteteve turko-qipriote. Por qeveria greko-qipriote pretendon se ka të drejtën sovrane për të kryer kërkimet për gaz në ato ujëra.

Në mediat greke jehonë ka marrë edhe deklarata e ish-Ministrit të Jashtëm grek, Theodhoros Pangalos, i cili pas këtyre përplasjeve tha se “një turk i mirë është vetëm një turk i vdekur”.

Tv Klan