Rritet çmimi i naftes, ja me sa do shitet nga sot nafta, benzina dhe gazi

518
0

Bordi i Transparencës ka vendosur sot çmimet e reja të tregtimit me pakicë dhe shumicë të naftës, benzinës dhe gazit.

Sipas çmimeve të reja, një litër naftë do të tregtohet me 214 lekë, benzina me 195 lekë për litër dhe gazi me 71 lekë për litër, me pakicë.

Vendim i Bordit të Transparencës 02.12.2022:

Vendimet e Bordit të Transparencës në datë 2 Dhjetor 2022 kanë ndryshime të çmimit nga ai i përcaktuar në mbledhjen e fundit.

Referuar të dhënave lidhur me bursën Platts të datës 01.12.2022, kemi ndryshime të çmimit nga ai përcaktuar në mbledhjen e fundit, konkretisht rezulton se çmimi (FOB/MED $ Ton) i Benzinës është 865, +42 nga data 28.11.2022, $/ Ton, ndërsa çmimi i Gazoilit/Diesel është 952, +59 nga data 28.11.2022, $/Ton. Kursi i këmbimit i BSH ka pësuar zbritje në 112. 49 (-0.06 nga data 28.11.2022).

Si rrjedhojë çmimet e vendosura janë:

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 214 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 202 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 195 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 183 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 71 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 59 lekë/litër për automjetet.

Çmimi i gazoilit për peshkim është vendosur 121 lekë/litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi në datë 2 Dhjetor, ora 18.00, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Bordi i transparencës që në krijimin e tij i është përmbajtur me përpikmëri në vendimet e tij lëvizjes së bursës Platts të Mesdheut për gazoilin, benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatorëve.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ndjen detyrimin të sqarojë opinionin publik se jo çdo lëvizje e bursës së naftës bruto reflektohet në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë në bursën e gazoilit dhe benzinës.