Rriten sërish çmimet e karburanteve në vendin tonë

166
0

Çmimet e karburanteve në Shqipëri kanë pësuar një rritje deri 8 lekë për litër. Një litër naftë tregtohet me 192 lekë për litër, nga 185 lekë që ishte disa ditë më parë. Ndërsa benzina është rritur me tetë lekë. Nga 188 lekë në pikën e karburanteve tregtohet me 196 lekë. Kjo është rritja e tretë brenda një muaji. Më 16 korrik nafta tregohej me 179 lekë. Me tre ndryshimet e pësuara në një muaj, në total nafta ka pësuar rritje deri 16 lekë për litër.

Operatorët e tregut pohojnë se tendenca është e lidhur me shtrenjtimin e karburantit në bursë, ku treguesi Platts, që merret si referencë nga importuesit shqiptarë, u mbyll të premten me 940 dollarë për ton, që është niveli më i lartë që nga tetori i vitit 2022.  Tendenca duket për shtrenjtim të mëtejshëm drejt 1000 dollarëve. Ndikim ka edhe kursi I këmbimit të dollarit që ka pësuar ulje.

Sa i përket bursës ndërkombëtare sipas Reuters, çmimet e naftës u rritën të premten pasi Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë parashikoi kërkesën rekord globale dhe shtrëngimin e furnizimeve, duke bërë që çmimet të vijonin rritjen për të shtatën javë radhazi, periudha më e gjatë që nga viti 2022.