Skip to content

Rriten pensionet, cfarë ndryshon që nga ky vit e deri në fund të mandatit

    Qeveria ka bërë publik planin për rritjen e pensioneve, një premtim i bërë gjatë fushatës elektorale. Ky plan përfshihet në Dokumentin Politik për Moshimin dhe Planin e Veprimit 2025–2030, dhe përmban një sërë masash që do të zbatohen duke nisur që nga ky vit, e deri në fund të mandatit të katërt.

    Çfarë parashikon drafti?

    Qeveria planifikon të rrisë pensionin mesatar në qytet nga rreth 18.000 lekë që është aktualisht, në mbi 27.000 lekë deri në vitin 2030 — një rritje prej rreth 9.000 lekësh. Për pensionin mesatar në fshat, rritja e parashikuar është rreth 5.000 lekë.

    Plani përfshin gjithashtu masa të tjera:

    • Vendosja e një pensioni të 13-të për të gjithë pensionistët.
    • Dyfishimi i pensionit social, nga rreth 100 euro aktualisht, në 200 euro.
    • Ndryshim i mënyrës së indeksimit të pensioneve, duke kaluar në një indeksim të diferencuar vjetor, bazuar në vlerën e pensionit, dhe jo më njësoj për të gjithë.

    Por jo gjithçka në këtë plan janë lajme të mira.

    Drafti parashikon edhe rritjen graduale të moshës së daljes në pension. Aktualisht, gratë dalin në pension në moshën 61 vjeç e 10 muaj, ndërsa burrat në 65 vjeç. Sipas planit:

    • Për gratë, mosha e daljes në pension do të rritet me dy muaj çdo vit.
    • Për burrat, rritja do të nisë nga viti 2032.

    Qëllimi është që, deri në vitin 2056, mosha e pensionit të jetë 67 vjeç për të dyja gjinitë.