Rriten cmimet në kopshtet dhe cerdhet private

231
0

Pas pandemisë COVID-19, institucionet private parashkollore (kopshtet) kanë rritur çmimet, ashtu sikurse kanë pësuar rritje çmimet e të gjitha shërbimeve dhe mallrave në vend.

Sipas vëzhgimeve në terren të “Monitor”, kostot variojnë sipas qyteteve apo zonave, por zakonisht nisin nga 170 euro, deri në 550 euro.

Për familjet që kanë dy e më shumë fëmijë në çerdhe private, kostoja është bërë e papërballueshme. Sakaq, kopshtet shtetërore ende vuajnë mbikapacitetin, pavarësisht investimeve të viteve të fundit.

Një tjetër faktor që përcakton çmimin është institucioni p.sh. në rast se është një objekt parashkollor me pak eksperiencë, i lokalizuar në mes të lagjeve të ndryshme apo në rast se bëhet fjalë për kopshte brenda strukturave të shkollave me përvojë. Sado e çuditshme mund të na duket, faktor tjetër që përcakton çmimin është edhe kurrikula. Në rast se kopshti zbaton metoda si Montessori, filozofi e njohur e prindërimit, e themeluar në shek.19 apo janë kopshte ndërkombëtare, kanë kosto më të larta.

Sipas Numbeo.com, mesatarisht, një prind shqiptar që ka fëmijën në një çerdhe apo kopsht privat, paguan në muaj 173.13 euro. Rritja e tarifës në Shqipëri ka qenë më e ndjeshme se në vendet e tjera ballkanike. Krahasuar me periudhën para pandemisë, rritja në Shqipëri ka qenë 45%, ndërsa në vendet e tjera me rritje 10-20%.

Prindërit paguajnë shpenzime të tjera për aktivitetet e kopshtit, në disa raste uniformat si dhe mjetet didaktive dhe librat, të cilat zakonisht kushtojnë më shumë se tarifa mujore.

Rritja e tarifës së kopshtit shton barrën e prindërve që tashmë kanë probleme me qiranë apo kredinë, por disa prindër thonë se nuk kanë zgjidhje tjetër veçse t’i dërgojnë fëmijët në kopsht ndërsa ata punojnë. Sipas tyre, idealja është që paga e njërit prind të arrijë të tejkalojë shpenzimin për kopshte të 1 ose 2 fëmijëve.

Nga ana tjetër, shkollat private dhe shoferët e furgonëve thonë se edhe pse nuk duan t’i rëndojnë prindërit, rritja e tarifave është e pashmangshme pasi edhe ata janë të detyruar të hedhin para shtesë në çdo sektor: paga, energjia, karburanti, ushqimi, pastrimi.

Sipas Numbeo.com, në një krahasim rajonal, Shqipëria ka tarifat më të lira në Ballkan për kopshtet private. Mesatarisht, një prind shqiptar që ka fëmijën në një çerdhe apo kopsht privat, paguan në muaj 173.13 euro, por rritja e tarifës në Shqipëri ka qenë më e ndjeshme se në vendet e tjera ballkanike. Krahasuar me periudhën para pandemisë, rritja në Shqipëri ka qenë 45%, ndërsa në vendet e tjera me rritje 10-20%, për çmimet mesatare.

Ata që paguajnë më shumë këtë shërbim në Ballkan duket se janë prindërit serb. Që fëmija i tyre që marrë një përkujdesje në një kopsht privat, ata paguajnë mesatarisht në muaj 267.12 euro. Ndjek sipas shtrenjtësisë, Maqedonia me 234.32 euro/muaj, Bosnja dhe Hercegovina me 174.72 euro/muaj.