Roberto Baggio viktimë e një grabitjeje të dhunshme gjatë ndeshjes Spanjë-Itali: hajdutët e rrahin dhe e mbyllin në një dhomë me familjen e tij

1071
0

Të enjten mbrëmë, Roberto Baggio dhe familja e tij kanë rënë pre e një grabitje të dhunshme. Ngjarja ka ndodhur teksa po ndiqnin ndeshjen Itali-Spanjë të vlefshme për Kampionatin Europian të Futbollit që po luhej në Gjermani.

Mediat në Itali shkruajnë se makthi për legjendën italiane filloi rreth orës 22:00 kur një bandë prej të paktën pesë personash, të gjithë të armatosur, hynë në vilën e ish-futbollistit në Altavilla Vicentina.

Sapo hajdutët kanë hyrë në shtëpi, 57-vjeçari ka tentuar të përballet me njërin prej tyre dhe pas një përleshjeje shumë të shkurtër, grabitësi e ka goditur me qytën e armës në ballë, duke i shkaktuar një plagë të thellë. Më pas ai dhe anëtarët e familjes ishin mbyllur në një dhomë për 40 minuta.

Ndërkohë, kriminelët përmbysnin çdo dhomë, duke vjedhur orë, bizhuteri dhe para.

Kur futbollisti kuptoi se grabitësit ishin larguar, ka thyer derën dhe ka lajmëruar policinë.

57-vjeçri u dërgua në urgjencën në Arzignano, ku u trajtua me disa qepje në ballë. Për anëtarët e tjerë të familjes ishte vetëm shumë frikë, por askush nuk u lëndua.