Rikthehet virusi i rrezikshëm, 3 viktima dhe 17 të prekur, Silva Bino zbulon qytetet e prekura dhe simptomat

3013
0

Pas 13 vitesh  rikthehen“Ethet e Nilit” në Shqipëri. Ethet e Nilit, përhapen nga mushkonjat që ushqehen me gjakun e zogjve. Virusi nuk përhapet nga njeriu te njeriu.

Shefja e departamentit të Sëmundjeve Ngjitëse pranë ISHP-së, zonja Silva Bino, doli në një njoftim për mediat, ku konfirmoi lajmin dhe bëri të ditur se situata është nën kontroll.

Bino ka bërë me dije se 84% e testimeve nga ISHP për këtë virus, janë kryer në muajin korrik dhe janë konfirmuar 17 të prekur dhe 3 viktima në vendin tonë.

Sipas saj, grupmoshat që mund të përjetojnë më rëndë sëmundjen janë ato mbi 60-vjeç, në veçanti personat që mund të kenë sëmundje shoqëruese si diabeti.

Lushnja, Fieri, Kurbini dhe Berati, janë qytetet më të prekura, gjithashtu janë edhe disa raste në Lezhë dhe në Shkodër.

“Për sa i përket rasteve të ‘Etheve të Nilit Perëndimor’ ato rishfaqen në Shqipëri këtë vit. Ne kemi pasur një shpërthim të tyre në vitin 2012 dhe më pas disa raste në vitin 2017 dhe 2018, por këtë vit kemi 17 raste të konfirmuara. Një nga këto raste është konfirmuar në Greqi, i një banuesi në Lushnje. Dhe kemi 19 raste të mundshme. Këto janë raste që kanë jo vetëm shenjat klinike, por edhe lidhjet epidemiologjike dhe një ekzaminim serologjik laboratorik. Rastet e konfirmuara janë konfirmuar përmes metodës molekulare ose serumeve të dyfishta.

Janë kryer një sërë testimesh, 84% e testimeve për vitin 2024 janë kryer gjatë muajit korrik. Pra kemi pasur 64 raste të dyshuara, jemi duke punuar në këtë drejtim. Për fat të keq kemi edhe tre raste vdekje të konfirmuara me ‘Ethet e Nilit’. Në përgjithësi është sëmundje që kalon lehtshëm tek personat e rinj deri në moshën 50-60 vjeç. Pas moshës 60 vjeç apo tek personat që kanë dëmtime të imunitetit, diabet apo alkoolist sidomos dhe persona me kancer, ato mund të shfaqin forma me prekje të sistemit nervor qendror, që janë encefalite, meningite, paralizë flaksite. Këto janë forma të rënda që shkaktojnë shpeshherë edhe vdekjen.

Ethet e Nilit Perëndimor është një sëmundje zoonotike, pra që qarkullon kryesisht te zogjtë dhe që prek kryesisht kuajt në sistemin nervor qendror. Por në vendin tonë nuk kemi një monitorim të kuajve për “Ethet e Nilit Perëndimor”. Sa i përket zonave ku kemi pjesën më të madhe kemi Lushnjen, Fierin, Kurbinin dhe Beratin (pjesën në afërsi të Lushnjës, disa raste në Lezhë dhe në Shkodër. Nuk ka patur të prekur në zonat bregdetare.

Masat që merren lidhen me hetimin entomologjik për të parë llojin e mushkonjave, sepse është sëmundje që qarkullon te kafshët ku ka viremi të lartë dhe më pas merret nga mushkonjat kuleks gjatë pickimit. Këto mushkonja e transmetojnë nga zogjtë tek njerëzit, por jo nga njeriu tek njeriu. Shpeshherë mund të ngatërrohet me një virozë, por shoqërohet me temperaturë ose dhimbje të forta muskulare, dhimbje të forta koke ose shenja në lëkurë”,– tha Bino.