Skip to content

Rikthehet i nxehti përgjatë kësaj jave, sinoptikania zbulon cfarë pritet 5 ditët në vijim: Kujdes..

    Dita e sotme shënon mot me diell dhe temperatura të larta, ku maksimumet arrijnë deri në 34–35°C në shumicën e qyteteve të Shqipërisë.

    Por çfarë pritet për pesë ditët në vijim? Jemi në javën e fundit të muajit qershor, dhe temperaturat nuk do të zbresin – përkundrazi, ato do të vijojnë të rriten gradualisht.

    E marta dhe e mërkura do të karakterizohen nga kthjellime në të gjithë territorin, ndërsa e enjtja dhe e premtja sjellin prezencë të vranësirave kalimtare. Ditën e premte parashikohet mundësi për ndonjë reshje të izoluar dhe afatshkurtër, kryesisht në zonat lindore malore – një situatë e ngjashme me disa ditë të kaluara të këtij muaji.

    E shtuna rikthen motin e kthjellët, me vranësira të lehta dhe kalimtare.

    Për sa i përket temperaturave, pritet rritje e tyre si në mëngjes ashtu edhe në mesditë. Të mërkurën, të enjten dhe pjesërisht të premten, priten ditët më të nxehta të javës. Të mërkurën termometri mund të arrijë deri në 38°C, ndërsa të enjten do t’i afrohet edhe vlerës 40°C. Të premten, një rënie e lehtë parashikohet në zonat perëndimore, por moti mbetet i nxehtë.

    E shtuna sjell sërish një zbritje të lehtë të temperaturave, veçanërisht në mëngjes dhe mesditë. Megjithatë, në krahasim me mesataret sezonale, temperaturat janë dukshëm më të larta – rreth 4°C më shumë në mëngjes dhe deri në 6–7°C më shumë në mesditë.

    Në ditët më të nxehta, temperaturat minimale në zonat malore nuk zbresin më poshtë se 13–14°C, ndërsa ato maksimale në zonat e ulëta dhe bregdetare kapin vlerat 36–38°C, dhe në disa zona të izoluara, edhe më shumë.

    Ky muaj qershor ka qenë ndër më të nxehtët e viteve të fundit, dhe javën që vjen pritet të përfundojë me kulmin e temperaturave për këtë muaj.

    Kujdes i veçantë u rekomandohet personave mbi 60 vjeç dhe fëmijëve gjatë orëve të mesditës, sidomos nga ora 10:00 deri në 14:00–15:00, kur regjistrohet edhe piku i nxehtësisë.