Rikthehet filmi “I vetëm në shtëpi”, por ndjekësve nuk i pëlqen aspak

508
0

Një ndër filmat e preferuar të Krishtlindjes, “Home Alone” do të rikthehet shumë shpejt! “Disney” raportoi se filmi klasik i viteve ’90 do të risillet për brezin e ri, së bashku me filmat “Night at the Museum” dhe “Diary of a Wimpy Kid”.

Në filmin “Home Alone”, i cili kishte dy pjesë, luante Macaulay Culkin si 8-vjeçari guximtar Kevin McCallister, i cili u detyrua të mbrojë shtëpinë e tij nga dy hajdutë, pasi prindërit e lanë vetëm për pushime.

Filmi më pas vijoi me tre pjesë të tjera në vitet 1997, 2002 dhe 2012, por asnjëra prej të cilave nuk kishte Culkin si protagonist.

Ato nuk ishin aq të njohura sa dy të parat dhe u kritikuan shumë nga fansat e filmit. Kjo ka bërë që të ketë sërish reagime negative për rikthimin e filmit të ri.

“Jooooo, Disney mos na e prish fëmijërinë!”, shkruajnë fansat e filmit në Twitter.

Të shumtë ishin ata që e kanë kritikuar Disneyn për mungesë të originalitetit dhe thjesht nuk janë dakord që “Home Alone” të bëhet sërish nga e para. Mbase kanë të drejtë, ndonjëherë disa gjëra janë më mirë të qëndrojnë ashtu, siç i mbajmë mend!/Opinion.al