Rikthehen turistët e parë në Romë

358
0

Në kryeqytetin italian të Romës janë rikthyer turistët e bashkë me ta dhe një nga ritualet më simbolike te qytetit, sic është hedhja e monedhës në monumentin Fontana di Trevi.

Ky objekt është mbushur këto ditë me monedhat e turistëve të parë që për rreth një vit e gjysëm i kanë munguar Romës për shkak të kufizimeve të gjata të pandemisë.

Prej 200 vitesh për ata që për herë të parë vizitojnë Romën, hedhja e monedhës është një gjest simbolik i realizimit të dëshirës për t’u rikthyer në kryeqytetin italian.

Këtë javë punonjësit e Bashkisë së Romës kanë rinisur mbledhjen e monedhave të hedhura nga turistët në këtë monument.

Prej  vitit 2001 ato i dorëzohen qëndrës fetare Caritas e cila i investon për bamirësi e në ndihmë të personave në nevojë.

Ka qënë ish kryetari i Bashkisë së Romës Walter Veltroni i cili më 2001, nënshkroi për herë të parë me Qëndrën romane Caritas, marrëveshjen e solidaritetit për dorëzimin e këtyre monedhave.

Çdo ditë në ora 8.00 të mëngjesit, Fontana di Trevi mbyllet për publikun ndërsa punonjësit e Bashkisë të pajisur me pompa bëjnë mbledhjen e monedhave në prani të policisë bashkiake e cila mban dhe procesverbalin përkatës.

Më pas monedhat dërgohen në një laborator ku iu nënshtrohen larjes e dizinfektimit.

Më pas monedhat  konvertohen nga kompani të caktuara para se të merren ne zotërim nga qëndra Caritas Roma.

Tradita e hedhjes së monedhës kërkon që me sy mbyllur e kurriz të kthyer nga ky monument, vizitorët që shkelin për herë të parë qytetin,  të hedh në ujë një monedhë e cila do t’i realizoj urimin e rikthimit përsëri në Romë.

Sipas legjendës kjo traditë nisi në vitet ‘800, nga arkeologu gjerman Wolfgang Helbing i cili qe një pikë referimi për jetën mondane të Romës së atyre viteve, e këtë ritual ia impononte cdo turisti gjerman që vizitonte qytetin.

Fontana di Trevi, punimet e të cilës nisën më 1731, është nga monumentet më të vizituara të Romës.

Llogaritet se cdo vit, e me përjashtim të këtij viti dramatik të pandemisë, janë rreth 1 milionë e gjysmë monedha që mblidhen në këtë monument.