Revoltohen artistët kundër ardhjes së këngëtarit grek në Tiranë: Pështyu mbi shqiptarët, tani vjen si pabuks

769
0

Këngëtari grek Notis Sfakianakis do të vijë në Tiranë më 24 maj, në një koncert që do të mbahet për herë të parë në Pallatin e Kongreseve.

Eventi organizohet nga televizioni “Top Channel” dhe që prej njoftimit që bëri Lori Hoxha, çmimet që variojnë nga 15.500 lekë të rinj deri në 21.000 lekë të rinj, janë cilësuar si të papërballueshme dhe shumë të kripura për shqiptarët.

Por mbërritja e këngëtarit grek në Tiranë, është kundërshtuar edhe nga një numër i madh artistësh shqiptarë, mes të cilëve, Flori Mumajesi, Jonida Maliqi, Bruno, Klajdi Haruni etj.

Këta të fundit kujtojnë deklaratën e Notis Sfakianakis, si mbështetës kryesor i partisë ekstremiste Agimi i Artë, deputetët e të cilës kanë vjellë vrer prej kohësh për shqiptarët.

Rasti i fundit ishte ai i një deputeti i cili foli për artistët shqiptarë duke i quajtur “të dështuar” përfshi këtu edhe përfaqësuesen shqiptare të Qipros në “Eurovizion”, Eleni Foureira.

Partinë nacionaliste greke e mbështet edhe këngëtari Sfakianakis ku e përmend si shpëtim të vetëm për shtetin këtë parti.

“Ku je tani o deputeti i partisë “Agimi i Leshit” që më shan shqiptarët në parlamentin grek? Ku je kur promovuesi yt Notis Sfakianakis po vjen te ne të na tregojë se sa pabuks është dhe se pa lekët tona nuk mundet të jetojë në vendin tënd pavarësisht bajgave që ha nëpër mediat greke për të huajt dhe për shqiptarët”, ka shkruar Flori Mumajesi në reagimin e tij.

Ndërsa, Jonida Maliqi ka shkruar: “Supozohet që ne shqiptarët jemi popull mikpritës por kurrsesi deri në këtë pikë ku të favorizojmë ata që kanë pështyrë mbi ne ndër vite. Absurditet i madh për këtë palo këngëtar që mbi të gjitha nuk është njeri por monstër që tani në vendin e tij nuk e begenisin më e vjen këtu për koncert recital me çmim bilete “të fryrë”.