Revolta e Reshat Arbanës: Ikni o politikanë, lëreni popullin të dal në selamet!

621
0

Role që kanë bërë histori, interpretime që emocionojnë çdo shpirt, zë që ka bërë dhe më të fortin të drithërohet. E kush nuk e njeh atë, fëmijë dhe i moshuar, intelektual dhe fshatar. Është Samiu tek “Fije që priten”, Prefekti tek “Gjeneral gramafoni”, Isa Boletini tek “Nëntori i dytë”, është portreti i 45 roleve. Është ai, i madhi Reshat Arbana. Shqiptari i Shqipërisë, atdhetari që e do këtë vend dhe i dhemb shpirti për gjithë dukuritë e këqija që pllakosin mbi ne.

“Çdo ditë e ndjej këtë dashuri të madhe që shqiptarët kanë për mua. Por, ndonjëherë them se çfarë kam bërë që është gjithë ky respekt i madh. Nuk ka vlerë absolutisht asnjë portofol me para karshi gjithë këtij nderimi e respekti. Sepse edhe të duash nuk e blen dot me para.

Ndaj, sa të kem jetë me ligjëruar, unë nuk do pushoj asnjëherë. Deri kur të më lërë mendja apo fiziku. Për të dhënë për popullin tim që më do aq shumë, që më respekton dhe që do i jem borxhli gjithë jetën.
Nuk e di a më do apo jo politika, unë e di që më do populli im dhe kjo ka rëndësi. Unë nuk e dua aspak politikën, por çfarë të bëjmë, jetojmë këtu. Është gjynah dhe më vjen shumë keq, se u bënë gati 30 vjet që ne vazhdojmë me një konfliktualitet që nuk duhet më. Boll se u lodhëm, u mërzitëm. Jam lodhur dhe me figurat politike, boll, ikni, lërjani vendin figurave të reja.”

Në qendër të shumë prej interpretimeve të aktorit, janë shqiptarët, ky popull energjik, por fatkeq. Fatkeq sepse asnjëherë nuk janë qeverisur nga politikanë, që siç rrëfen Arbana t’i kuptojë drejt.

“Shqiptarët janë tepër vital dhe kjo i ka shërbyer sepse në fund të fundit do kishin mbaruar fare. Me gjithë ato që ka kaluar ky popull. Edhe ishallah do na vijnë politikanë që do ta kuptojnë drejt këtë popull. Dhe do të kuptojnë që Shqipëria nuk ka nevojë për të tilla egërsira, që vetëm debatojnë, zihen. E tëra është një pasqyrë që transmetohet në popull. Grinden ata atje sipër, grindet dhe populli poshtë.”

E trishtojnë shumëçka po ndodhin në këtë vend, politika që fundosin, njerëz që shtypen e harrojnë idealet. Por, edhe artistë që shquhen të tillë, vlerësohen, kur në të vërtetë transmetojnë veç antivlera.

“Në përgjithësi arti është në një farë krize. Kjo pasi antivlera po del mbi vlerën dhe kjo është një fatkeqësi e madhe. Për shembull nëse marrin muzikën. Janë disa këngë që nuk e di përse transmetohen, nuk kanë mesazhe fare. Vetëm tekste ‘kodra mbas bregut’, si e thotë populli dhe që nuk i merr vesh njeri. Pa dashje të shkon mëndje te ato këngë që janë kënduar në atë kohën e monizmit që sot e kësaj dite nuk e mërzisin njeriun. Pse, sepse kanë një fabul.”

Si një kumt atdhetar, artisti gjithmonë do të jetë për t’i rikujtuar ato vlera, për të mbajtur gjallë frymën kombëtare, për të . Për të qenë në shërbim të popullit, me interpretim e tij të pavdekshme, të ndjerë, të fortë dhe të vërtetë.

“Unë i kam bërë ato poezi sepse më ka folur shpirti dhe më ka dhembur zemra. Poezia “Hakërrim” e Ali Asllanit absolutisht që vazhdon të flasë më së miri atë çfarë po i ndodh këtij popullit. Dhe me keqardhje them që do jetë edhe për vite të tjera e njëjta gjendje. Ky popull ishallah të dal në selamet sepse e meriton.” TIRANA TODAY