Skip to content

“Reshje shiu e dëbore”, si pritet të jetë Moti për javën

    Vranësirat do të shtohen gradualisht në të gjithë vendin, duke sjellë rikthimin e reshjeve që nga orët e vona të mbrëmjes së sotme. Fillimisht priten reshje të pakta shiu dhe dëbore në skajin jugor të territorit, ndërsa gjatë mesnatës dhe natës ato do të shtrihen gradualisht në të gjithë Shqipërinë, duke vijuar edhe gjatë ditës së nesërme, megjithëse në sasi të pakta.

    Rikthimi i reshjeve shoqërohet me rritje të temperaturave në orët e mëngjesit. Minimumet rriten me rreth 2 gradë, duke u ngjitur në -3°C në zonat malore. Ndërkohë, gjatë mesditës së nesërme pritet një rënie e lehtë e temperaturave, po me rreth 2 gradë, si pasojë e vranësirave dhe reshjeve të herëpashershme.

    Reshjet do të vijojnë gjatë gjithë ditës së mërkurë. Në zonat malore priten kryesisht reshje dëbore, pasi temperaturat do të luhaten nga 0 deri në -3°C. Të enjten dhe në ditët në vijim, reshjet do të jenë kryesisht në formën e shiut, ndërsa dëbora do të mbetet e pranishme vetëm në zonat e thella malore.

    Situata më problematike parashikohet gjatë natës së sotme dhe deri në mesditën e nesërme në jug dhe juglindje të vendit. Në qytetet e kësaj zone pritet krijimi i një shtrese dëbore me disa centimetra, ndërsa në zonat malore trashësia e dëborës mund të arrijë deri në 30–40 cm.

    Nga e mërkura deri të premten reshjet do të jenë përgjithësisht të pakta. Fundjava pritet të jetë më e paqëndrueshme, me reshje me intensitet mesatar dhe rrebeshe të shkurtra, kryesisht në zona të izoluara dhe jo në të gjithë territorin.

    Nga e premtja dhe në vijim, temperaturat shënojnë rritje graduale. Të shtunën, termometri pritet të shënojë nga 0–1°C në zonat e thella malore deri në 17°C në zonat e ulëta dhe bregdetare. Me përjashtim të së shtunës, temperaturat mbeten përgjithësisht tipike për stinën e dimrit.