Rënia e Euros nuk ndalet, zbret në nivelin më të ulët që nga tetori 2008

607
0

Monedha e përbashkët nuk po ndal rënien në tregun vendas. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 122.4 lekë, duke rënë me 0.21 lekë në raport me ditën e mëparshme.

Ky është niveli më i ulët që nga 24 tetori 2008, kur euro u këmbye me 122.38 lekë.

Që nga e premtja e javës që kaluar, nënçmimi i euros është përshpejtuar dukshëm. Në 4 ditë euro ka humbur 0.69 lekë.

Aktorët e tregut pohojnë se përveç faktorëve të zakonshëm, që kanë ndikuar në dobësimin e euros vitet e fundit, të lidhura me ofertën e lartë në raport me kërkesën, në nënçmimin e fortë të ditëve të fundit ka ndikuar dhe një transaksion i madh këmbimi i kryer nga një prej bankave të mëdha në vend, çka ka ulur kuotimin e euros.

Për të dytën ditë radhazi, në rënie kanë qenë edhe të gjithë valutat e tjera. Dollari ra me 0.29 lekë, në 109.24 lekë, paundi me 0.61 lekë në 138.92 lekë dhe franga zvicerane u këmbye me 108.53 lekë, me rënie 0.33 lekë.

Që nga fillimi i këtij viti, euro ka rënë me 1.03 lekë. Ekspertët e tregut pohojnë se monedha e përbashkët pritet të jetë e dobët edhe në muajt në vijim për shkak të efekteve sezonale, që lidhen me shtimin e prurjeve të valutës nga turistët, që edhe këtë vit pritet të jenë të shumtë. Tradicionalisht gushti është muaji më i dobët për euron, për shkak të parave që sjellin emigrantët po dhe shpenzimet e turistëve.

Niveli më i ulët historik i euros, që kur ajo ka dalë si monedhë fizike në vitin 2002, është arritur në 18 dhjetor 2007, prej 120.18 lekë, sipas serive kohore të publikuara nga Banka e Shqipërisë, apo rreth 2.2 lekë më pak se niveli i këmbimeve aktuale./Monitor