Reja e pluhurit afrikan dhe zagushia ja sa do te zgjase. Cfare pritet ditet ne vijim..

2937
0

Të gjithëve iu ka rënë në sy këtë të mërkurë moti i pazakontë. Shqipëria u zgjua e mbuluar nga një re pluhuri që shumë kush mendoi se ishte mjegull e zakonshme, por jo. Kemi të bëjmë me një fenomen natyror të zhvendosur nga Afrika Veriore, pluhuri afrikan.

“Vendi ynë ndodhet nën ndikimin e masave të ngrohta me origjinë nga veri i Afrikës dhe sjellin me vete edhe pluhurin e Saharasë. Është një fenomen që vendi ynë është prekur disa herë. Është pothuajse gjithë Mesdheu i prekur, duke përjashtuar gadishullin Iberik, pjesa tjetër Europa qendrore, shkon deri në Holandë, Rumani, sipërfaqja që preket.

Përqendrimi gjatë ditës së sotme ka qenë më i lartë i grimcave të pluhurit në ajër dhe kjo e ka bërë shqetësuese për qytetarët pasi është e dëmshme për rrugët e frymëmarrjes, sjell problematika sa i përket shikimit horizontal dhe vertikal, si për transportin rrugor dhe atë ajror. Është e gjithë pjesa e perëndimore e vendit e prekur me përqendrim më të lartë të grimcave të pluhurit”, thotë specialistja e Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, Anira Gjoni.

Përsa i përket Shqipërisë, trashësia e kësaj reje pluhuri do të jetë më e madhe në zonën e Lezhës për shkak edhe të relievit gjeografik.

Reja e madhe e pluhurit pason edhe me temperatura më të larta që zakonshme e quajmë zagushi apo situatë mbytëse me masa ajrore të ngrohta. Ky fenomen do të vijojë edhe ditën e nesërme, ndërsa sipas ekspertëve temperatura pritet të rritet me mbi 20 gradë deri të enjten.

“Këto masa ajrore sjellin temperatura të larta, sot kishim rritje të menjëhershme. Kjo valë do na shoqërojë edhe ditën e nesërme. Të premten do ndihet edhe pastrimi i ajrit”, thotë Gjoni.

Jo vetëm Shqipëria por e gjithë pjesa jugore e Europës është e mbuluar nga pluhuri, ndërsa zonat që goditen me shumë janë Malta, Greqia dhe Italia e jugut.

Mediet e vendit fqinj Italisë, raportojnë për Ciklonin e Kolombit, me mot të keq deri në stuhi dëbore dhe breshëri duke na kthyer në dimër. Reshjet e mëdha do të godasin veriun e Italisë dhe në Alpet pritet të shfaqet ‘Bora e Kuqe’ fenomen i përzierjes së borës me rërën afrikane.

Fundjava do të ndryshojë totalisht kursin e motit me një anticiklon afrikan me rritje të fortë temperaturash deri në 27 gradë. 31 marsi do të kalojë përmes një të diele shumë të nxehtë deri në 31 gradë.