Refuzoi Enver Hoxhën për martesë/Përfundimi i trishtë e vajzës që u torturua në burgjet e komunizmit dhe në internim

1020
0

Pak kohë pasi Qeveria komuniste qe instaluar në Tiranë u arrestuan 15 vetë të një grupimi që quhej “Grupi Bashkimi Demokrat”. Ishte iniciativa e një numri intelektualësh, kryesisht të majtë, që kishin vendosur të krijonin një parti socialdemokrate, me të cilën do të paraqiteshin në zgjedhjet. Grupi u cilësua “i nxitur nga reaksioni”. 8 vetë u dënuan me vdekje, 7 të tjerë me dënime të rënda deri në 30 vjet burg.
Midis tyre edhe një grua, Musine Kokalari, vajza e një avokati të pasur. njëra ndër femrat më të shkolluara, të bukura e të emancipuara të Shqipërisë, autore e tre librave të suksesshëm në vitet e fundi të Luftës.
Dy vëllezërit e saj, Muntaz dhe Vejsim, qenë pushkatuar pa gjyq, pa asnjë akuzë, edhe pse nuk qenë përfshirë në politikë, në bodrumet e hotel “Bristolit” më 12 nëntor 1944, kur Enver Hoxha nuk kishte hyrë ende në Tiranë. I treti, Hamiti, shok klase për shumë vite i Hoxhës, kishte shpëtuar për një arsye të thjeshtë: natën ku i morën dy vëllezërit, ai dergjej në shtrat i sëmurë me ethe të rënda dhe partizanët nuk e bartnin dot.
Qëndrimi në gjyq i Musine Kokalarit qe mbresëlënës. Ajo deklaroi:

“Nuk kam nevojë që të jem komuniste për ta dashur vendin tim! Unë e dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua progresin e tij. Edhe pse ju keni fituar luftën, edhe pse ju keni fituar zgjedhjet, ju nuk mund ti persekutoni ata që kanë mendime të ndryshme politike nga ato tuajat. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju po më dënoni për idetë e mia. Unë nuk kërkoj falje, sepse unë nuk kam bërë asnjë faj!” (17)

Vajza kaloi 18 vite nëpër burgje. Pas lirimit u internua në Reshën, ku do të plakej duke punuar si fshesare rrugësh. Jetoi atje, e vetme dhe e refuzuar nga komuniteti, por shumë krenare, derisa vdiq nga kanceri në vitin 1983. Në ditët e lëngimit të rëndë Musine Kokalarit i ishte mohuar edhe ndihma mjekësore, çfarë e detyroi që një javë përpara vdekjes të shkruante në fletoren e saj të shënimeve:

“Njoha kulturën demokratike, njoha tragjedinë e përmbysjeve të mëdha revolucionare. Njoha një gjyq special. Njoha 18 vjet burg dhe 22 vjet internim me përplasje andej-këndej. Njoha punën e punëtorit me normë individë, njoha punën e krahut me normë kolektive në bujqësi e ndërtim. Njoha vetminë e vetëkërkuar, shoqërinë e rastit në burg dhe gjithë ndryshimet që pasojnë nga ky tërmet i pandërprerë për të konsoliduar diktaturën e proletariatit. Nganjëherë them me vete se nuk fitova gjë që mbeta gjallë. Kam 38 vjet që nuk e di ç´domethënë familje. Ndoshta do të ishte mirë të kisha mbyllur sytë njëherë e përgjithmonë. Kështu merrnin fund edhe vuajtjet, me gjithë gjendjen tragjike…”. (18)

Ditën e vdekjes operativi i Sigurimit të Shtetit për Rrëshenin thirri në zyrë fqinjin e saj, një i moshuar edhe ai i persekutuar: e porositi se, nëse ai ose dikush tjetër do të merrnin pjesë në varrim, do të arrestoheshin. Ajo u përcoll e vetme: pas karrocës me arkivolin e saj ecnin vetëm dy varrmihësit e “shërbimeve komunale”.

Pas viteve 1990 raporti i Hoxhës me Musine Kokalarin dhe ndëshkimi i saj janë diskutuar shumë. Është shkruar madje qe ajo të ketë refuzuar një propozim për martesë të Hoxhës ose që të jetë tallur me të, por janë tregime që nuk ngjajnë bindëse. Më befasues është fakti që, pas vitit 1991, është zbuluar në AQSh një letërkëmbim mjaft intensiv midis Musine Kokalarit dhe Enver Hoxhës. Letrat u takojnë fundit të viteve ’30, kur ajo ishte studente në Romë dhe ai mësimdhënëse në Korçë. Duket letërkëmbim shumë i zakonshëm, fort dashamirës, ku Hoxha e përgëzon për shkrimet e saj në shtypin e kohës.

Letra e fundit daton në vitin 1939 dhe duket qartë se Hoxha dhe Kokalari janë edhe kushërinj të largët. Por qëndrimi i Hoxhës ndaj saj bëhet edhe më i pakuptueshëm po t’i referohesh një të dhëne tjetër. Tregohet se më 1960, kur një ndihmës i tij e ka njoftuar se PEN Club International kishte kërkuar zyrtarisht lirimin e saj, duke e futur në listën e 30 shkrimtarëve të burgosur nga diktaturat në botë, përgjigja e tij të ketë qenë vetëm: “Ende gjallë rrospia?!”

Marrë nga libri “Enver Hoxha” i Blendi Fevziu