Rastet Covid në rritje! A do të ketë masa te tjera shtrënguese, Eugena Tomini jep paralajmërimin

944
0

Ne ditet e para të shkurtit janë regjistruar mbi 1 mijë të infektuar në ditë, në vendin tonë. Nëse kjo situatë do të mbetet e njëjtë, ose do të ketë rritje të numrit të të infektuarve, Komiteti Teknik i Ekspertëve nuk përjashton mundësinë e shtrëngimit të masave.

Në fakt, gjithçka lidhet me situatën në spitale. Duhet thënë se aktualisht të shtruarit janë mbi 400, shifër kjo në rritje, ndërkohë që është vlerësuar se nëse spitalet Covid kapin kapacitetin me 600 të shtruar, kjo shihet si pikë kritike për të marrë masa drastike me qëllim parandalimin e epidemisë.

Karantinimi qoftë edhe i pjesshëm ndonëse shihet i nevojshëm, një i tillë do të shtonte stresin dhe do të ndikonte po aq negativisht në popullatë, çka ka vënë aktualisht në dilemë ekspertët.

Megjithatë, zv.ministrja e Shëndetësisë Eugena Tomini ka paralajmëruar se do të ketë ashpërsim të masave kundër COVID-19 nëse shifrat e infektimeve vazhdojnë të rriten.

Ajo tha në Vizion Plus se edhe në javët në vijim pritet që shifrat e infektimeve të jenë të larta, duke shtuar se shtimi i rasteve vjen si pasojë e lëvizjeve të qytetarëve në dhjetor për festat e fundvitit.

“Sigurisht që tendenca e ditëve të fundit ka treguar për një rritje të rasteve pozitive, e reflektuar edhe tek projeksionet tona, duke parë grumbullimet e qytetarëve në dhjetor, për të festuar apo lëvizjet jashtë Tiranës”.

“Kemi parashikuar një tendencë në rritje në javët në vijim. Tri ditët e fundit kanë reflektuar mbi 1 mijë raste, kemi një pozivititet shumë të lartë dhe nivel transmetueshmërie shumë të lartë”.

“Të gjithë bashkë jemi pjesë e të tërës, të gjitha masat duhet të japin efektet e tyre. Situata po monitorohet në dinamikë. Vlerësimi i masave shtrënguese po kryhet, nëse kjo situatë do të përshkallëzohet. Nëse situata do të vazhdojë kështu dhe vlerësimi i të gjithë indikatorëve do të përshkallëzohet me një numër më të lartë pozitiviteti, masat do të jenë shtrënguese”, u shpreh Eugena Tomini.