Raporti tronditës, çfarë pritet të ndodhë në 2050-ën

203
0

“Vdekja e Zezë” ose ndryshe pandemia e murtajës që përfshiu Evropën dhe Azinë për rreth 5 vjet në mesin e viteve 1300  besohet se ka reduktuar popullsinë globale me 1/3-ën.  

Sot, qindra vite pas kësaj pandemie, ka një tjetër fenomen që po ul frikshëm nivelin e popullsisë globale. Sipas një raporti të ri të botuar në revistën mjekësore “The Lancet”, rënia e normave të lindshmërisë është tronditëse aq sa numri 8 miliardë mund të ndryshojë në pak dekada.

Natalia Bhattacharjee, një nga autoret e studimit thotë se fertiliteti ka rënë veçanërisht në vendet e Europës Perëndimore, atje ku ka dhe trazira masive të shkaktuara prej migrimit. Me shumë gjasa do të rikonfigurohet plotësisht ekonomia globale dhe do të ketë një riorganizim të shoqërive.

Çfarë thotë raporti i Lancet?

Raporti i marsit, i titulluar “Fertiliteti global në 204 vende dhe territore” për periudhën 1950-2021, u përpilua nga një ekip studiuesish ndërkombëtarë në Institutin për Metrikën dhe Vlerësimin e Shëndetit të Universitetit të Uashingtonit (IHME). Parashikimet janë bërë për deri në vitin 2100 dhe gjithë analiza është bazuar në normat aktuale të lindshmërisë. Sipas studiuesve norma për një popullsi të qëndrueshme është 2 fëmijë për grua. Megjithatë, në Evropën Perëndimore, parashikohet që deri në 2050-ën çdo grua do të lindë vetëm një fëmijë. Vendi më i prekur? Spanja.

Ekipi parashikoi gjithashtu se vetëm 6 vende në botë: Samoa, Somalia, Tonga, Nigeri, Çadi dhe Taxhikistani do të kenë një normë të lartë deri në fund të shekullit të ardhshëm.

Tabelat për lindshmërinë 2050-2100:

Po pse po bie lindshmëria?

Ekspertët thonë se rënia e nivelit të lindjeve është rezultat i rritjes së punësimit te gratë. Sipas OKB-së, gratë po e çojnë ekonominë drejt rritjes. Fenomeni i atribuohet edhe përparimeve në fushën mjekësore.

Si do të ndikojë kjo në vendet perëndimore?

Nëse gjetjet në “The Lancet” rezultojnë të sakta, atëherë vendet si Mbretëria e Bashkuar, ku norma e lindjeve parashikohet të bjerë frikshëm do të varen nga imigracioni për 8 dekadat e ardhshme ose më shumë. Ndërsa lindin më pak foshnje, popullsia po plaket më shpejt. Me më pak të rinj që gjenerojnë pasuri për të balancuar kostot në rritje të mbështetjes së të moshuarve, vendet mund të përballen me sfida serioze ekonomike në të ardhmen.

E vetmja zgjidhje e dukshme, thonë ekspertët, është lejimi më shumë i migrimit nga vendet me popullsi më të re. Mësohet se vendet e Afrikës sub-Sahariane kanë një burim jetik që shoqëritë në plakje se kanë, popullsinë shumë të re në moshë.

Po a është e vërtetë se politikat më të zbutura ndaj emigrantëve do jenë produktive?

Shumë demokraci perëndimore e cilësojnë rritjen e emigracionit si “mallkim”. Përshembull në Mbretërinë e Bashkuar, kryeministri Rishi Sunak e ka kthyer në prioritet ‘frenimin’ e hyrjeve ilegale në vend e madje mezi pret të dërgojë në Ruandë të gjithë azilkërkuesit.

Edhe në Francë, Presidenti Emmanuel Macron ka kërkuar të zbatohet projektligji i ashpër ndaj emigrantëve, i cili u miratua në Dhjetor 2023.

“Zëvendësimi i madh”, Teoria konspirative

Kjo teori u popullarizua për herë të parë nga filozofi frances Renaud Camus në 2011-ën ku promovohej ideja se ulja e numrit të lindjeve në shoqërite perëndimore është një ‘komplot’. Siç shkruante ai në librin e tij, “të bardhët” do të zëvendësohen me raca të tjera.

Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban është një ndër njerëzit që e ka besuar këtë teori. Në vitin 2019, ai hodhi poshtë nocionin që Evropa e shekullit të 21-të të “popullohej nga jo-evropianë”.

“Nëse Evropa nuk do të popullohet nga evropianët në të ardhmen dhe ne e marrim këtë si të dhënë, atëherë po flasim për një shkëmbim popullsie”, u shpreh ai asokohe.