‘Rana e Hedhun’ dhe gjaku i hedhur…

416
0

Opinon nga Nga Bledian Koka

Operacioni i djeshëm i Prokurorisë së Përgjithshme për arrestimin e zyrtarëve të lartë të Bashkisë së Lezhës me në krye, kryebashkiakun Fran Frrokaj, ishte aksioni i radhës i arrestimeve të vendorëve që akuzohen se kanë abuzuar me pronat, kryesisht ato në bregdet.

Që në nisje të këtij shkrimi dua të them se nuk ka ndërmend të bëj avokatinë e askujt. Por si një njeri i medias kam mundësinë për të mësuar veprimet në prapaskenë që e bëjnë hetimin, minimalisht të diskutueshëm. A ka patur tjetërsim, vjedhje, apo përvetësim prone publike në “Ranën e Hedhun”? Do habitesha për të kundërtën.

Zona në fjalë, është e fundmit perlë e pashkatërruar në gjirin e Adriatikut, që vështirë se ka lënë të painteresuar atë që ka patur mundësinë ta shtijë në dorë. Por deri në një vendim të kundërt, në këtë vend duhet patjetër të mësojmë standardin demokratik të prezumimit të pafajësisë. Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit, thotë se abuzime ka patur dhe qartazi në këtë pikë nevoja lind edhe për hetim.

Qytetarët shqiptarë, mund të shpresojnë se malet e shkresurinave verifikuese të KLSH-së kanë filluar të pinë ujë? Dyshoj fort. Dje nga zyrat e Prefekturës së Lezhës (nën timonin e PS-së), u xhirua edhe akti i fundëm i një skenari që më së paku, ka një muaj që përflitet nën zë. Pamjet e Fran Frrokajt që shoqërohej në polici, u morën dhe iu dërguan menjëherë televizionit nën menaxhimin editorial të Endri Fugës.

Shfaqja mbaroi, drejtësi u bë, shqiptarët sigurisht që nuk mund të jenë të lumtur paskëtaj. Po të doni ju them edhe emrin e kandidatit të PS-së, në zgjedhjet parakohshme lokale për Bashkinë e Lezhës, sepse besomëni, zgjedhje do të ketë. Përtej kësaj, ka diçka që prej kohësh nuk shkon në mënyrën sesi vepron Prokuroria e Përgjithshme me drejtuese të përkohshme. Ka diçka që shqiptarët e ndërgjegjshëm të cilët ende besojnë se “drejtësia është e paanshme”, e shohin sesi ajo e “erës-Marku” e ka deformuar peshoren e drejtësisë në disfavor ligjit që është dhe duhet të jetë i barabartë për të gjithë.

Fjala vjen, e njëjta Prokurori e Përgjithshme që iu turr dosjes “Rana e Hedhun” dje, ka vendosur të heshtë dhe të mos rihapë dosjen e gjakut të derdhur të Ardit Gjoklajt sot e gjithë ditën. Ende sot shqiptarët e ndërgjegjshëm nuk mund ta harrojnë sesi Erion Veliaj e Petrit Fusha pinë verë mbi gjakun e derdhur të Ardit Gjoklajt, dhe e mbyllën arkivolin e tij me pllakat e Sheshit “Skënderbej”.

Ndërsa dje, për “Ranën e Hedhun” Prokuroria e Përgjithshme arrestoi si bandë terroriste 23 persona me në krye, kreun e Bashkisë së Lezhës Fran Frrokaj. Unë jam shumë dakord me çdo hetim dhe askush nuk duhet t’ia hedhë pa u lagur. Sot unë nuk marr përsipër të mbroj Fran Frrokun, por jam kundër standardit të dyfishtë që nuk hap apo rihap dosje për kryebashkiakë, korrupsioni i të cilëve ka vrarë një 17-vjeçar si në rastin e Erion Veliajt.

Nuk hap dosje për kryetar bashkie që kanë nxjerrë nga burgu serial killer, si Vangjush Dako. Nuk hap dosje për kryetar bashkie që kanë vjedhur prona e tendera pa fund si Elvis Rroshi. Apo sesi nuk hetohen ministrat si Damian Gjiknuri, Arben Ahmetaj e Ilir Beqja me abuzimet në energji, me koncesionet e tyre në shëndetësi dhe me inceneratorët e Klodian Zotos.

Edhe njëherë dje radha nuk ishte e tyre, por vetëm e njerëzve të opozitës. Gjithmonë nëse radha e Prokurorisë së Përgjithshme me drejtuese të përkohshme, për “Rilindasit” do të vijë ndonjëherë…

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.