Edi Rama ka ironizuar sloganin e Partisë Demokratike në këto zgjedhje parlamentare, duke e quajtur “qesharak” premtimin për të bërë “Shqipërinë madhështore”. Në një takim pasditen e sotme, me votuesit për herë të parë të tre njësive në Tiranë, kryesocialisti theksoi se retorika për të bërë madhështore qytete si Peqini apo Puka është absurde dhe larg realitetit.
“Po a mund të quhet kjo “normale”, një alternativë që nuk e ka turp të thotë se do ta bëjë Shqipërinë madhështore? Si do ta bëjnë madhështore? Shqipërinë nuk kemi nevojë ta bëjmë “madhështore”, sepse kjo tingëllon shumë qesharake kur e themi. Ne, Shqipërinë, do ta bëjmë anëtare të Bashkimit Evropian. Kaq. Pastaj, gjëja më qesharake: shkojnë në Peqin dhe thonë “do ta bëjmë madhështor”, do ta bëjmë Pukën madhështore, Maliqin madhështor, Sharrën madhështore… Histori komplet qesharake”.
Gjatë fjalës së tij Rama theksoi rëndësinë jetike të përmbylljes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2027.