Rama i lutet mjekëve që duan të ikin në Gjermani: Vitin e ardhshem do te..

654
0

32 autoambulanca të reja i janë shtuar flotës së urgjencave në Qendrat Spitalore Universitare. I pranishëm në ceremoninë e prezantimit të flotës, kryeministri Edi Rama se synimi i qeverisë ka qenë reformimi i urjgencave dhe ky sektor tashmë është përballë ndryshimeve të mëdha. Sfidë mbetet, tha Rama, që urgjenca t’i përgjigjet në kohë reale çdo qytetari në nevojë. Duke iu referuar statistikave, Rama tha se nga nëntori i vitit 2015 dhënia e ndihmës së parë përmes Urgjencës ka shpëtuar 3 mijë jetë njerëzore.

Sot kemi një urgjencë mjekësore 24 orë në shërbim të pacientëve. Kemi një urgjencë që ka shpëtuar statistikisht 3 mijë jetë njerëzish, sipas të dhënave të kompjuterizuara nga nëntori i 2015, në këtë shëndetësinë tonë që sipas komentatorëve që falë zotit mos shkofshin kurrë në spital e flasin për mmjekë e infermierë nga thashethemet, sipas të cilëve spitalet janë vende ku shkojnë njerëzit dhe vdesin. Një vdekje përbën lajm, por janë 3 mijë jetë njerëzore të shpëtuara. 

Edi Rama, kryeministër

Duke u ndalur te largimi i mjekëve dhe infermierëve jashtë vendit, Rama solli shembullin sesi drejtuesi i urgjencës është kthyer nga jashtë vendit dhe po udhëheq, sipas tij, transformimin e këtij reparti në sistemin shëndetësor. Ndërsa shtoi se pas janarit do punësohen 300 mjekë të rinj në sistemin shëndetësor, duke theksuar se ata që do zgjedhin të punojnë jashtë zonave të tyre të banimit, do përfitojnë edhe bonusin prej 2 mijë dollarësh. Thirrja e Ramës ishte pikërisht për mjekët që duan të largohen në drejtim të Gjermanisë. 

“Kemi ata që derdhin lot krokodili se po na largohen mjekë dhe infermierë. Por Urgjenca sot drejtohet pikërisht nga një mjek i kthyer nga jashtë për të reformuar këtë sistem dhe që është protagonisti kryesor i këtij transformimi“, tha Rama. “Janë 4 mijë infermierë që duan të hyjnë në sistem dhe janë në Shqipëri, jo në Gjermani, janë në portal, por ndryshe ngasa ka ndodhur për 25 vjet, nuk hyn më në punë përmes partisë e parasë, por përmes pikëve të fituara në testimin kombëtar të infermierëve. Pas janarit do kemi 300 mjekë të rinj specialistë të cilët po ashtu në bazë të meritës dhe rezultateve do të mund të zgjedhin se ku dhe nëse duan të kontribuojnë. Për të gjithë ata që do kontribuojnë në ato zona që janë jashtë zonave të tyre të banimit, do marrin aq sa do merrnin nëse do ta fillonin punën në Gjermani. Aq marrin të gjithë mjekët që shkojnë jashtë Tiranës për të shërbyer si specialistë. Marrin rrogën si mjekë dhe marrin mbi rrogën 2 mijë deri në 2500 dollarë në muaj. Po të llogarisësh taksat që paguajnë këtu që janë 5 fish më të ulëta, se sa do paguanin në Gjermani ta bëjnë vetë llogarinë se si është më mirë por një gjë është e sigurt se as kemi e as do kemi mungesë mjekësh dhe infermierësh në sistemin tonë shëndetësor”, theksoi Rama.

Kryeministri deklaroi gjithashtu se vitin e ardhshëm do të rriten përsëri pagat e mjekëve dhe infermierëve. “Ashtu sikundër vitin e ardhshëm ne do të paguajmë jo pak por 1200 USD në vit për studentë ekselentë mjekësie d.m.th 100 mijë lekë në muaj bursë dhe do të paguajmë të gjithë tarifën ne si qeveri të çdo studenti në mjekësi që ka notën nga 9 deri në 10 dhe tek mjekësia do na kushtojnë shtrenjtë këta të mirët sepse janë pothuajse të gjithë shumë të mirë, megjithatë ashtu të jenë dhe ne do t’i shpërblejmë atë që ata bëjnë dhe do t’i mirëpresim në sistem pasi tua kemi paguar vetë tarifat, pasi tua kemi dhënë dhe bursën mujore dhe pasi t’i kemi bërë gati të zgjedhin Shqipërinë apo botën sipas dëshirës së tyre por është e sigurt se edhe kjo është një vlerë e shtuar për sistemin shëndetësor kombëtar që ne duam”.

Sa i takon repartit të Urgjencës, Rama tha se do vijojnë reformimi i këtij sistemi për të dhënë shërbimin te pacienti në kohë reale. 

“E ardhmja është ende larg për një Urgjencë Kombëtare Mjekësore që t’i përgjigjet në kohë reale çdo familje dhe çdo njeriu në nevojë në vend. Por sot ka një të dhënë domethënëse që është thelbi i asaj që nisëm…për të kërkuar urgjencën nuk ka më nevojë për të kaluar nga spitali dhe të presësh në pafundësi që spitali të çojë fjalën te Urgjenca dhe Urgjenca të vijë te ti. Sot urgjenca është e lidhur direkt me çdo qytetar shqiptar. Sot është një shërbim që garanton padiskutim asistencën bazë në të gjithë territorin. Ne dyfishuam investimet në shërbimet shëndetësore përgjatë këtij viti pavarësisht se ç’a thonë gojët që nuk pushojnë dhe pavarësisht sesa shumë ka ende për të bërë në këtë sektor. Personeli i urgjencës, krahasuar me 5 vite më parë, sot është i dyfishuar. Sot kemi 448 mjekë, infermierë e personel mbështetës. Janë 49 mijë njerëz shqiptarë dhe të huaj që janë shërbyer vetëm në qendrat shëndetësore turistike nga 1 qershori deri në 15 shtator, falë kujdesit të drejtpërdrejtë të Urgjencës Kombëtare Mjekësore që ka dislokuar 17 autoambulanca përgjatë vijës bregdetare.

Sot janë 900 thirrje në ditë të cilat shkojnë direkt përmes sistemit të kompjuterizuar në veshin e urgjencës, nuk ka më histori që telefoni del i zënë…dhe këto nuk ishin 400 apo 40 vjet më parë, por 4-5 vjet më parë. Koha e ndihmës së parë është shkurtuar në mënyrë të ndjeshme. Akoma edhe më e rëndësishme, 50% e shërbimit është i përqendruar në banesa falë trajnimit dhe gatishmërisë së personelit të urgjencës. Autoambulancat nuk janë thjehst taksi që shkojnë dhe marrin njerëzit e i përplasin në dyert e spitaleve, por është shërbim që ka përgjysmuar me 50% numrin e atyre pacientëve, duke ia dhënë shërbimin në banesë. Sot më shumë se kurrë Urgjenca është më pranë njerëzve. Kurrë nuk ka qenë më pranë njerëzve se sot dhe kjo falë të gjithë atyre që për zilinë time dhe të gjithëve janë veshur me portokalli sot”, tha Rama.