Pritet furtunë politike në shtator, në skaner jo vetëm ministrat, ‘luftë’ dhe për…

385
0

Gjithë qeveria ‘Rama 2’ po kalon në skanerin e vetë kryeministrit Edi Rama, i cili duket se do të sjellë ndryshime në fillim të shtatorit, duke larguar ata që nuk kanë arritur të ‘vjedhin’ sa duhet. Ethet kanë nisur prej ditës së djeshme në radhët e ministrave, të cilët do të raportojnë gjithçka para eprorit të tyre ‘fuqiplot’, por mësohet se skanerit nuk do t’i shpëtojnë as zëvendësministrat apo shefat e Departamentit të Administratës Publike. ‘SOT’ ka mësuar se në datën 29 gusht shefi i qeverisë do të zhvillojë një mbledhje me zv/ministrat, ndërsa të pranishëm do të jenë edhe shefja e DAP si dhe kryetarja e shkollës së Administratës Publike.

Mësohet se Rama gjatë kësaj mbledhjeje do të kërkojë për secilin nga zv/ministrat por edhe dy drejtoreshat që të ketë një panoramë të qartë jo vetëm të institucioneve që ata drejtojnë por edhe sa i takon situatës së punësimeve. Madje, burimet i thanë gazetës se gjithë vëmendja e kësaj mbledhjeje pritet të fokusohet tek çështja e punësimeve dhe administrata publike.

Sa i takon punësimeve, mësohet se Rama gjatë këtyre muajve ka qënë i pakënaqur me vartësit e tij dhe për këtë arsye gjatë mbledhjes do t’ju kërkojë llogari zëvendësministrave se çfarë politikash kanë ndjekur dhe se sa i kanë zbatuar porositë e kreut të qeverisë në lidhje me shkarkimin e militantëve të LSI nga administrata. Po ashtu, mësohet se Rama do të shpërndajë direktiva për cilindo zv/ministër dhe dy drejtoreshat, sa i takon përzgjedhje së nëpunësve të shtetit, ku padyshim çdo punësim do të bazohet në meritë-preferencë.

Zgjedhjet vendore dhe situata në administratë

Gazeta mësoi se kjo lëvizje e Ramës sa i takon situatës së punësimeve bëhet edhe për shkak se po afrojnë zgjedhjet vendore të 2019. Pra, duke qënë se punësimi është një nga premtimet më të mëdha që një parti politike bënë gjatë fushatave elektorale, Rama ka menduar që gjithë situatën ta shoshitë në këtë mbledhje, në mënyrë që deri sa të startojnë këto zgjedhje të ketë bërë sa më shumë punësime. Mirëpo, kjo lëvizje taktike e Ramës, bëhet edhe për një tjetër arsye. Arsyeja ka të bëjë me faktin duke qënë se fitorja e zgjedhjeve vendore, hipotekon në një farë mënyre edhe fituesin e zgjedhjeve parlamentare të 2021, Rama përmes shkarkimit të militantëve të LSI, jovetëm që i hap rrugë punësimeve të socialistëve sipas meritës por nga ana tjetër dobëson politikisht edhe LSI.

Ç’ka do të thotë që Partia Socialiste shkon e sigurtë në zgjedhjet vendore, duke i fituar ato. Megjithatë, gazeta mësoi se kjo lëvizje e Ramës, siç është zhvillimi i mbledhjes me zv/ministrat dhe dy drejtoreshat bëhet edhe në kuadër të procesit të integrimit europian. Për këtë arsye, mësohet se një tjetër çështje ku do fokusohet mbledhja është pikërisht situata në administratën publike dhe ecuria e reformës administrative. Mësohet se gjatë mbledhjes Rama do të kërkojë llogari nga secili ministër, sa i takon këtyre dy çështjeve. Fillimisht, mësohet se llogari para shefit të qeverisë të parët do të japin zëvendësministrat, ndërsa më pas drejtoresha e DAP dhe drejtoresha e shkollës së Administratës Publike.

Mësohet se gjatë raportimit zv/ministrat do t’i japin me detaje kryeministrit rreth asaj çfarë kanë bërë deri më tani sa i takon situatës së monitorimit të punësimeve, ku kushti i panegociueshëm janë punësimet sipas direktivave të kërkuara nga Bashkimi Europian. Ndërsa dy drejtoresha do të raportojnë me detaje se sa është numri i të punësuarve që nuk plotësojnë kriteret dhe se si po shkojnë rekrutimet e reja të burimeve njerëzorë, duke përmbushur kriteret e kërkuara nga BE. Sidoqoftë, na duhet të presim 29 gushtin për të parë se çfarë do të ndodhë më konkretisht.