Prezantohet projekti i Aeroportit të Vlorës, Rama: do të ketë 3 funksione (Foto)

958
0

Kryeministri Edi Rama prezantoi nga Vlora projektin e shumëpritur të ndërtimit të aeroportit të Vlorës. Kreu i qeverisë bëri me dije se janë duke u diskutuar 2 opsione për ndërtimin e këtij aeroporti, ose të bëhet nga një kompani serioze ndërkombëtare, ose të ndërtohet me paratë e buxhetit të infrastrukturës.

“Jemi në proces diskutimi të brendshëm që do ta mbyllim brenda pak javësh. Kemi përfshirjen e një kompanie të huaj, por kemi dhe opsionin për ta ndërtuar vetë këtë aeroport. Kemi përcaktuar një buxhet për ta filluar ndërtimin vetë si shtet pastaj për të kaluar në një garë ndërkombëtare. Vendimi do merret së shpejti duke parë se sa shprehje interesi do të kemi për të hapur një garë”, u shpreh Rama.

Sipas Edi Ramës, aeroporti i ri nuk do të jetë vetëm turistik, por mendohet që brenda tij të ulen dhe avionë mallrash, pasi një pistë e tillë mungon në rajon, si dhe të përdoret për riparimin e avionëve, funksione këto që do të ndikojnë ndjeshëm në rritjen e punësimit dhe të ekonomisë.

“Ky aeroport është me rëndësi pasi nuk do të jetë vetëm turistik. Unë kam menduar që aeroporti i Vlorës të jetë më i madh se ai i Tiranës dhe me më shumë funksione se ai. Aeroporti do të ketë një pistë 3.2 km dhe do mundësojë uljen e avionëve me kapacitet të madh. Nuk kemi në rajon një aeroport mallrash, është një ekonomi më vete me shumë interes. Me potencialin që ka zona është plotësisht i mundur. Do të ketë dhe funksionin e mirëmbajtjes dhe riparimin e avionëve. Të tre këta komponentë e bëjnë aeroportin e Vlorës të kompletuar dhe një qendër ekonomike, pasi kontributi i tij të do jetë shumë i ndjeshëm në ekonomi”, shtoi Rama.

Si objektiv kryesor për çeljen e kantierit për nisjen e punimeve, kryeministri caktoi pranverën e vitit të ardhshëm.