Prekëse/ Lutja mes lotësh e 6-vjeçares së ngujuar nga gjakmarrja: Më lini të shkoj në shkollë

448
0

Mbrëmjen e sotme “Fiks Fare”, solli historinë prekëse të Elvanës, një vogëlushe 6-vjeçare e cila nga frika e gjakmarrjes është detyruar të nisë shkollën disa fshatra larg familjes së saj. 6-vjeçarja momentalisht jeton tek daja në fshatin Shtoj të Shkodrës pasi familja e saj prej 15 vitesh është në gjak. Ndonëse është femër, sërish prindërit janë të frikësuar pasi sipas tyre gjakmarrja nuk kursen më as femrat.

Familja e Elvanës janë ngujuar pasi 15 vite më parë gjyshi dhe gjyshja e saj u vranë nga një bashkëfshatar. Më pas halla e saj vrau vëllanë e gjakësit. Ajo ndodhet në burg ndërsa babai i Elvanës është në kërkim nga policia sot e kësaj dite pasi gjykata e dënoi bashkëfajtor në krim.

Sapo u pyet nga gazetarja për shkollën, Elvana nisi të qajë, e prekur që nuk e vazhdon dot në fshatin e saj por duhet të qëndrojë disa fshatra larg familjes nga frika e gjakësit. Pasi gjyshja dhe gazetarja u munduan ta qetësojnë, Elvana nisi të tregonte çfarë mbante në çantën e shkollës, dy fletore që ia kishte blerë mamaja, një palë xhinse të reja dhe një palë atlete të grisura që ia kishin kanë falur.

Mes lotësh, Elvana u shpreh se ka frikë të kthehet në fshatin e saj dhe e vetmja dëshirë që ka është të shkollohet. 6-vjeçaren e kishte marrë malli për prindërit dhe motrat por nuk mund të kthehet në shtëpinë e saj.