Policia, apel qytetarëve: Kujdes nëse ju vjen një mesazh i tillë në WhatsApp!

1096
0

Policia e shtetit prej disa kohësh ka evidentuar një fushatë mesazhesh të cilat po dërgohen në telefonat celularë nëpërmjet aplikacioneve si ai i whatsappit. Këto mesazhe janë me qëllim mashtrimin e shtetasve që vendosin t’iu përgjigjen atyre. 

Në një njoftim për mediat, policia e shtetit ka njoftuar qytetarët qe të bëjnë kujdes përsa i përket fillimit të komunikimit me persona apo adresa të postës elektronike që ofrojnë çmime të fituara për të cilat shtetasit nuk kanë patur dijeni dhe sidomos kur vërejnë të dhëna kur  mesazhi vjen nga një numër i huaj të tilla si Çmimi i fituar ka të bëjë me një aktivitet të pakryer nga përfituesi i mesazhit;

Vlerat e fituara (sipas mesazhit) janë të konsiderueshme; Kërkimi i të dhënave personale; Kërkimi i të dhënave bankare si edhe Kërkimi i dokumenteve të identifikimit ose dokumenteve të tjera personale. Në përfundim të kësaj skeme mashtrimi, nga ana e organizatorëve kërkohet një shumë e caktuar parash, me qëllim transferimin e shumës së fituar tek fituesi. Organizatori i kësaj skeme mashtrimi, aktualisht është i paidentifikuar, por gjatë kësaj dekade këto lloj mashtrimesh bëjnë pjesë në ato që quhen “Mashtrimet Nigeriane”.

Aktualisht, sipas të dhënave që Njësia për Hetimin e Krimeve Kompjuterike disponon, me këtë lloj mashtrimi mund të preken të gjithë shtetasit që përdorin aplikacionin “WhatsApp”.  Policia e Shtetit apelon për këdo që ka rënë pre e këtij mashtrimi apo mashtrimeve të ngjashme, të njoftojnë menjëherë dhe në çdo moment Policinë e Shtetit.