Po kthehej vonë me këmbë në shtëpi, gazetarja tregon çfarë i ndodhi në mes të Tiranës

1428
0

Gazetarja Mira Kazhani, në një shkrim të bërë publik në “Tirana Post”, ka treguar sesi “shoferi i Benz-it, burri që i përplaset në krahë, e maniakët”, nuk të lejojnë të ecësh në këmbë natën në Tiranë, për t’u kthyer në shtëpi.

Kazhani ka treguar se çfarë i ka ndodhur një mbrëmje teksa kishte vendosur që të kthehej në shtëpi në këmbë, duke mos e marrë makinën.

Më poshtë është një pjesë nga shkrimi i saj:

“Të ecësh e lumtur në qytetin për të cilin flasim gjithë ditën dhe e shohim nga makina. Minutat e para mendon se Tirana është yll, se jemi pak të fiksuar me makinën dhe fundja rrugët janë ndriçuar, Lana nuk gulçon aq si dikur dhe bliret e lulet e çelura të pranverës bëjnë punën e tyre. Papritur, ndjen se një makinë përkarshi teje ecën me marsh të parë. As tre metra larg teje është një pervers, që e di shumë mirë se gruaja që ecën në trotuar nuk do ta kthejë kokën. Por ai, që edhe provën e ka si trofe, ka një papërmbajtje që ngjan me qentë e lodhur por që ende dihasin e duan të kafshojnë, ama në fund largohen.

Ikën dhe shoferi i Benz-it. Mendon që mund t’i rikthehesh shëtitjes tënde të kthimit në shtëpi dhe se ishte veç një kombinacion i keq. Fundja qëllon të rastisë njeriu edhe ndonjë pervers kudo. Ia falim!

Është ora 11 e 34 minuta. Jo aq vonë për t’u trembur dhe përgjatë rrugës ka me shumicë kalimtarë të të gjitha moshave dhe gjinive. Je duke ecur, kur një tip vjen dhe të përplaset qëllimisht në shpatull dhe largohet.

Pyet veten: pse duhet ta bëjë një burrë këtë? Pse duhet të karambolohet me krahun tënd kur gjerësia e trotuarit tek Nëntëkatëshet ka vend të kalojë një marsh me burra e gra? Një zot e di, burrin e vetmuar, që po ta shohësh paradite mund ta marrësh edhe në punë, se duket tip normal. Akoma pa shkuar në vend rrudha e këmishës pas përplasjes, dy të tjerë, pak metra më tutje, i dëgjon tek thonë fjalë seksi por që nuk ngjajnë me seksin.

Janë dy perversë në të vërtetë, që duhet të kenë gra, të dashura, motra. Gjatë ditës me diell duhet të kenë një jetë dhe ata, kanë miq me të cilët bëjnë pushime, jetojnë në Tiranë dhe kanë jetët e tyre -po ta mendosh, pa neverinë që përhapnin duke ia zbehur natës mrekullinë e saj me ajër, blire, jasmine, kumbulla, muzikë live, pica, sufllaqe, koktejle dhe bori makinash.

Por, të mjerët, duket se janë në orarin kur kthehen nga njeri në qen. Iu lëshohen instinkteve shtazarake dhe të kujtojnë se këta, ai i Benz-it, burri që i pëlqente të karambolonte shpatulla, dy burrat që dinin më shumë fjalë të pista sesa sasinë e lekëve në kuletë; ekzistojnë edhe në Facebook, sidomos aty.

Nata dhe rrjeti e mban gjallë këtë soj. Komentojnë, shajnë, japin mend dhe flasin me siguri edhe për moral. Se ata nuk jetojnë në pyll, jetojnë në kryeqytet, kanë familje, nënë, babë, motra, të dashura, gra, shoqe, që mjerë ato bukuroshe kujt i vënë pjatën e ngrohtë përpara, kujt i falin zemrën dhe djalin në maternitet. Por, secili matet me fatin e vet dhe maniakë e perversë ka kudo.

Vetëm se 15 minuta rrugë njeriu do t’i shijojë për shpirtin e tij dhe mbërrin e neveritur në shtëpi, nga qyteti yt, që ende ka forma mesjetare epshesh, që të bëjnë të ndërrosh mendim dhe të mos dalësh më kurrë pa makinë. Shoqëria i bën qytetet. “