Po kthehej nga puna, shqiptari në Itali humb jetën në aksident

208
0

Një 40-vjeçar shqiptar ka ndërruar jetë tragjikisht gjatë mbrëmjes së djeshme në Breshia të Italisë pasi ishte duke u kthyer nga puna. Mediat italiane bëjnë me dije se ai po drejtonte një makine tip “Mercedes Benz”, e cila ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një pemë.

Për pasojë ka ndërruar jetë shqiptari i quajtur Alban Dushi. Sipas asaj që shkruajnë media, makina e shqiptarit ka rrëshqitur nga rruga.

Mjeti ka kaluar në trotuar në një moment kur aty po ecnin dy gra. Njëra prej tyre u përplas nga makina. Pas këtij momenti, mjeti ka përfunduar duke u përplasur me  pemën.

Gruas së dëmtuar i është dhënë menjëherë ndihma mjekësore dhe ka pësuar fraktura në gjymtyrë. Ndërkohë plagët ishin shumë të rënda për shqiptarin, i cili ka ndërruar jetë menjëherë në vendin e ngjarjes.