“Po ike në Shqipëri do të vras prindërit” Tmerr në Greqi, shqiptari mban “të burgosur” për dy vite gruan se lindi vajzë

1363
0

Një ngjarje e denjë për filmat thriller dhe dramë, e që ka për protagonist një çift të rinj shqiptarësh, është regjistruar në qytetin e Volos, në Greqi.

Mediat helene raportojnë se me ndihmën e fqinjëve, policia ka zbuluar se një 22-vjeçare shqiptare është torturuar, dhunuar dhe mbajtur e mbyllur pa kontakt me botën e jashtme, për rreth dy vite, nga ana e bashkëshortit të saj.

28-vjeçari Aurel Kurti nga fshati Gurre i Klosit është martuar me vajzën kur ajo ishte 18-vjeçe dhe në vitin 2021, e reja është transferuar në shtëpinë e tij në Volos, ku ka përjetuar dhunë të vazhdueshme.

Kurti nuk e lejoi kurrë bashkëshorten e tij që të mësonte të fliste greqisht apo të kishte kontakt me botën e jashtme, ndërsa shtëpia e tyre dukej e pabanuar.

Dhuna ndaj saj nisi të intensifikohej kur 22-vjeçaria i komunikoi bashkëshortit gjinën e fëmijës së tyre, pasi ai nuk donte të ishte babai i një vajze.

Kur lindi fëmija, nëna dhe foshnja kanë jetuar për pesë muaj me grila të mbyllura dhe pa parë rrezet e diellit. Dhunimi ishte i përditshëm dhe 28-vjeçari nuk e lejonte nënën e re të shkonte te mjeku për vaksinimin e fëmijës dhe as nuk e thërriste mjekun në shtëpi.

Fundi për aventurën e paimagjinueshme të 22-vjeçares ka ardhur mbrëmjen e së enjtes kur lagjja është mobilizuar pasi vajza kishte bërtitur për ndihmë, ndërkohë që dhunohej brutalisht nga bashkëshorti.

Fqinjët kanë tentuar të hyjnë në banesën e tyre dhe kanë lajmëruar policinë, ndërsa 28-vjeçari ka tentuar të arratiset nga dera e pasme e banesës. Fqinjët, megjithatë, e ndaluan dhe e neutralizuan duke pritur derisa mbërriti policia.

Në momentin që oficerët kanë hyrë në banesë kanë parë nënën që kishte përqafuar fëmijën e saj, ndërsa ishte e mbuluar në gjak dhe kishte shenja mbytjeje në qafë

Menjëherë është lajmëruar ambulanca dhe gruaja dhe fëmija janë dërguar në spital. 22-vjeçarja me ndihmën e një bashkatdhetari u ka shpjeguar mjekëve dhe policisë se e kanë shpëtuar pak para se bashkëshorti t’i merrte jetën duke e mbytur me duar.

Jam dhunuar brutalisht, i jam afruar shumë herë vdekjes. Ai më kërcënoi se nëse ikja në Shqipëri do të vinte dhe do të vriste prindërit e mi”, ka dëshmuar ajo.

Nëna dhe fëmija janë nën mbrojtje me urdhër të prokurorit të çështjes, ndërsa 28-vjeçari do të përballet me të gjitha shkallët e drejtësisë në Greqi.

Mediat greke shkruajnë se policia dhe prokuroria nuk kishin hasur asnjëherë në një histori të tillë, me viktima një grua dhe fëmijën e saj dy vjeç, ndërsa dëshmia e 22-vjeçares ka tronditur gjyqtarët dhe hetuesit.