Po ça burri je, o plak! O dak! O Njish! O Trap!

763
0

Si t’ja dalim ne nënat t’u mësojmë bijve tanë që në këtë vend të mallkuar nuk ka rëndësi sedra, por fjala? Që burrnia nuk është dhuna, por mençuria për të shuar konfliktin? Që nuk ka rëndësi ç’të dikton shoqëria, por familja?

Si t’ja dalim ne nënat të rrisim bij të denjë dhe jo pjella fotokopje të kapadaillëkut mashkullor shqiptar? Si t’i mësojmë djemtë që kur hasen me djem të tjerë të etur për përplasje të mësojnë të tërhiqen e ndërrojnë rrugë, dhe jo të bëhen viktima të ngacmimit “hajde sqarohemi jashtë!”?

Po ça burrnie është t’i marrësh jetën një burri tjetër? Po ça burri do bëhesh ti një ditë, o djalë? Po çfarë burri do e mësosh tët bir të bëhet mor djale, kur të bëhesh vetë burrë?

Po ça burrash mban ky dheu ynë, qe nuk duan gratë e tyre që i besojnë inferiore, gratë e tyre që i shpullosin vajzat e tyre që i lënë pa shkollë, e i martojnë që 15 vjeç, që motrat e tyre i ruajnë si xhandarë e me motrat e të tjerëve tallin menderen për t’i çuar një herë në krevat, e nëse, larg qoftë! nuk ja dalin s’lënë vend pa trumbetuar “kurvllëkun” e tyre të pafajshëm?

Po ça burrash mban ky dheu ynë që mirë që nuk duan grate, po që s’duan as burrat? Që burri me burrin ka armiqësi e jo vllazëri? Që burri me burrin ka sedër e jo miqësi? Që burri me burrin nxjerr thikën e jo shtrëngimet e duarve?

Po ça burri je o plak! O dak! O shok! O Njish! O Trap! O trap kaluar trapi! Që lë lesht në lloto, në bixhoz, në cigare! Që ju punojnë gratë me turne, që lajnë pjata, bythë plakash, rrugë me pështymet që ju nxirrni nga goja juaj që ça nuk nxjerr, kur ecni rrugëve e kruani hallatet për qejf të hallateve, edhe para vajzave e grave, vetem sepse mundeni, sepse jeni burra.

Po ça burri je ti që rreh vetëm sepse mundesh?! Po ça burri je ti që vret vetëm sepse mundesh?!

Po kush trapin je ti, o burrë, që bën si Zot e si shkop e i merr jetën tjetrit?

Po pse, meshkujt në Shqipëri janë aq mutërisht të pasigurt te vetja, saqë nga mëngjesi në darkë duhet të japin prova burrnie? Te shpejtësia e makinës, te cigarja pa heq akoma cicën e mamit, te seksi pa bërë as dashuri, te leku pa i thënë punës një herë mirëmëngjes, te vrasja pa thënë një herë ‘më fal’!

Po ça problemi ke me veten o plak, o dak, o trap!

/Neda Balluku/