Plane për fundjavën? Mësoni si do të jetë moti të shtunën dhe të dielën

465
0

Kjo fundjavë që na pret do të sjellë larmishmëri të kushteve të motit në territorin shqiptar: Kthjellime, shi, vranësira edhe dëborë në zonat malore. Në një lidhje direkte për Klan News, sinoptikani Hakil Osmani nga “MeteoAlb” thotë se pritet që temperaturat gjatë ditës së shtunë dhe të dielë të ulen me 5 gradë Celsius. Temperaturat në maksimumet e tyre gjatë fundjavës pritet të regjistrohen të shtunën në ultësirën perëndimore në 12-13 gradë Celsius.

Hakil Osmani: Dita e premte mbetet nën mbizotërimin e vranësirave të shpeshta, të cilat më të dukshme dhe të fokusuara janë në zonat lindore dhe në jug të territorit shqiptar duke bërë që në zonat e ulëta të kemi prezente reshjet e pakta të shiut, ndërsa në zonat malore do të kemi herë pas here rishfaqje të flokëve të dëborës. Temperaturat e ajrit ditën e sotme kanë pasur një rënie të tyre duke bërë që vlerat minimale të kenë regjistruar 0 gradë Celsius në qytetet e zonave malore, ndërsa maksimumet do të shkojnë jo më shumë se vlera 13 apo 14 gradë Celsius.

Përsa i përket fundjavës, kemi një rënie të ndjeshme të temperaturave të ajrit me të paktën 5 gradë Celsius duke bërë që vlerat minimale në zonat malore të regjistrojnë edhe minus 5 gradë Celsius ditën e dielë, ndërsa maksimumet pritet që në ultësirën perëndimore t’i kemi ditën e shtunë në vlerën 12 gradë Celsius, ndërsa ditën e dielë rreth vlerës 13 gradë Celsius.

Përsa i përket kushteve të motit, fundjava ndahet. Dita e shtunë deri në orët e mesditës pritet që të jetë nën ndikimin e vranësirave të shpeshta, të cilat herë pas here do të krijojnë mundësira për reshje të izoluara shiu në sasira më të pakta se ato që kemi përjetuar. Më të fokusuara mbeten në zonat lindore. Duke filluar orët e pasdites të së shtunës dhe të mbrëmjes, kemi përmirësim gradual të kushteve të motit duke bërë që ditën e dielë të kemi dominim të motit të qëndrueshëm. Do të kemi alternime me kthjellime dhe kalime të pakta të vranësirave.