Plane për fundjavë? Sinoptikani tregon cfare ndodh me motin ne oret ne vijim

367
0

Fundjava do të sjellë një përmbysje të kushteve atmosferike, duke bërë që të jenë prezente reshjet dhe temperaturat të ulen. Për Klan News, sinoptikani Akil Osmani nga “MeteoAlb” ka dhënë më shumë detaje se si pritet të paraqitet situata meteorologjike në vend përgjatë ditës së sotme duke vijuar me fundjavën.

Akil Osmani: E premtja, që në orët e para të mëngjesit ka sjellë zhvillim të vranësirave. Vranësirat parashikohet të përfshijnë një pjesë të mirë të territorit shqiptar, kryesisht pas mesdite, duke krijuar mundësira për reshje shiu, kryesisht në zonat qëndrore.  

Parashikohet që nata vonë e së premtes dhe kryesisht paraditja e ditës së shtunë të përmbysë situatën sinoptikane. Pritet që të kemi reshje të shumta. Dendësia e reshjeve pritet të jetë dhe në formën e rrebesheve. Parashikohet që të shtunën të mbetemi nën ndikimin e reshjeve të shiut, por orët e mbrëmjes sjellin një dobësim të lehtë dhe të përkohshëm, kjo pasi edhe gjatë ditës së dielë pritet të kemi prezencë të reshjeve, por më të dobëta. Gjatë pjesës së dytë të ditës së dielë pritet të kemi një përmirësim të dukshëm të kushteve të motit.

Gjatë ditës së sotme, pritet që maksimumet e temperaturave të jenë të larta, deri në 33 gradë Celsius, por fundjava sjell një rënie të ndjeshme të temperaturave të ajrit. Maksimumet, gjatë ditës së dielë në 25 gradë Celsisus. Gjithashtu edhe temperaturat minimale të kenë një rënie të ndjeshme dhe pritet të regjistrohet vlera 7 gradë Celsius në zonat malore gjatë ditës së dielë.

Sinoptikani Akil Osmani thotë se parashikohet që gjatë ditës së shtunë perimetri i erës të jetë 60 kilometra në det të hapur dhe pritet që të kemi një det të trazuar.