Sipas sinoptikanes Dr. Tanja Porja, e shtuna pritet të nisë me reshje të pakta në pjesën e parë të ditës, ndërsa përkeqësimi i motit pritet nga pasditja vonë dhe gjatë mbrëmjes. Sipas parashikimit, reshjet do të jenë me intensitet mesatar dhe në zona të izoluara edhe të lartë, duke vijuar deri afër mesnatës dhe disa orë pas saj.
Paraditja paraqitet më e favorshme për ata që kanë plane jashtë, pasi reshjet do të jenë më të pakta. Temperaturat do të mbeten të larta për këtë periudhë, me maksimum që pritet të arrijë deri në 18°C, duke e bërë fundjavën më shumë me tipare vjeshte sesa dimri.
Të dielën reshjet do të jenë më të pakta, kryesisht në orët e para të ditës, ndërsa më pas priten vetëm episode të izoluara dhe të papërfillshme. E hëna vijon në të njëjtën linjë, me reshje sporadike dhe intensitet të ulët.
Ndryshimi më i ndjeshëm pritet të martën, kur reshjet rikthehen me intensitet mesatar dhe në zonat malore të juglindjes e verilindjes parashikohen edhe reshje dëbore, me disa centimetra akumulim. Të mërkurën moti stabilizohet përkohësisht, por temperaturat shënojnë rënie me rreth 2 gradë në mëngjes dhe lehtë edhe në mesditë.
Në përmbledhje, fundjava do të jetë e ngrohtë dhe me reshje, ndërsa mesi i javës sjell rikthimin e kushteve më tipike dimërore.