Përplasi vajzën e saj dy muajshe disa herë në trotuar, burg përjetë për nënën

533
0

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në SHBA ku një nënë ka përplasur vazhdimisht vajzën e saj në trotuar, duke e lënë të vdekur. 21 vjeçarja është dënuar me burgim të përjetshëm, pa mundësinë e lirimit me kusht për vrasjen e saj.

“Makaylia Jolley, 21 vjeç, nga Misisipi, SHBA, kapi vajzën e saj dy muajshe Khalysie nga kyçet e këmbëve, e përplasi në trotuar disa herë dhe më pas e braktisi”, tha ndihmësprokurorja e qarkut Kathryn Neëman.

Ngjarja ka ndodhur në Pearl City më 12 maj 2022, me dëshmitarët që i thanë policisë se fëmija ishte braktisur në rrugë. Jolley pas aktit të saj të neveritshëm vrapoi për t’u fshehur në pyllin aty pranë, ku u kap pak kohë më vonë. Foshnja u dërgua në spital, por pas dy ditësh humbi jetën nga plagët e marra.

Ajo pësoi ënjtje dhe gjakderdhje të trurit, fraktura të gjera të kafkës, thyerje të gishtit të madh të majtë dhe të djathtë, çarje dhe gjakderdhje në sy. Vdekja e saj u cilësua si vrasje për shkak të traumës së fortë në kokë.

Të hënën, nëna u deklarua fajtore për vrasje të shkallës së parë, një krim që sjell vetëm dy rezultate të mundshme: dënimin me vdekje ose burgim të përjetshëm pa mundësinë e lirimit me kusht.

Prokurori fillimisht kishte kërkuar dënimin me vdekje, por në vend të kësaj i ofroi Jolley-t një marrëveshje për pranimin e fajësisë.

Një arsye ishte për të parandaluar dëshmitarët, familjen dhe autoritetet që të rijetonin atë që ndodhi.

“Këta njerëz do të preken përgjithmonë nga ajo që panë më 12 maj 2022”, tha prokurori. Jolley thuhet se ka rrëfyer se ka goditur foshnjën e saj, por tha se ishte një aksident dhe ajo nuk e dinte pse e bëri këtë. Autoritetet thanë se nëna kishte përdorur drogë mëngjesin e incidentit.

“Ky është një krim i pashpjegueshëm dhe i urryer ndaj një fëmije të pafajshëm. Makaylia Jolley do të vdesë në burg për vrasjen e vajzës së saj. Ajo nuk do të dalë kurrë nga burgu, në asnjë mënyrë”, u shpreh prokurori.