Për herë të parë nga viti 2002, euro shënon vlerën më të ulët të regjistruar ndonjëherë në raport me lekun

51
0

Për herë të parë prej 1 janarit 2002 kur valuta europiane hyri në Shqipëri, euro ka rënë në 116 lekë duke shënuar vlerën më të ulët të regjistruar ndonjëherë. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, euro zbriti të premten në 115.84 lekë duke u zhvlerësuar me 1.02 lekë në raport me fillimin e muajit.

Në zhvlerësimin e monedhës së “unionit” po ndikon sasia e lartë e euros në treg, ndikuar nga shtimi i remitancave si pasojë e festave të fund-vitit, kombinuar me kërkesën e paktë për të blerë valutë nga qytetarët, sipërmarrësit e qeveria, por edhe pezullimi i blerjeve të energjisë nga korporata Elektroenergjetike Shqitare.

Euro është monedha dominuese në strukturën ekonomike shqiptare dhe zhvlerësimi i saj i bën kreditë në këtë valutë më të lira, ul koston e produkteve të importuara duke ndikuar për mirë te inflacioni, ndërsa ulen kostot e borxhit në euro. Nga ana tjetër, një euro më e dobët do të thotë më pakë vlerë për remitancat ndërsa me humbje janë edhe eksportuesit

Edhe më e theksuar paraqitet rënia te dollari. Të premten, monedha amerikane ra në 109.71 lekë duke u zhvlerësuar me 2.28 lekë në raport me 1 dhjetorin.

Ndonëse me peshë tejet më të vogël, edhe zhvlerësimi i dollarit ka ndikim në ekonominë shqiptare. Karburantet po kushtojnë më pak, blerjet në internet po ashtu. Kreditë në dollar bëhen më të lira, ndërsa zhvlerësohen paratë e dërguara nga emigrantët në Shtetet e Bashkuara.