Peqin, një teatër nga fëmijët me aftësi të kufizuar

1142
0

Për herë të parë në qytetin e Peqinit është ngritur një staf teatral me persona me aftësi të kufizuara me pjesëmarrës kryesisht fëmijët, ku këtyre të fundit u jepet mundësia për të nxitur talentin dhe potencialin e tyre.

Në kuadër të projektit “Pa Pengesa – Modele të Përfshirjes Sociale”, financuar nga IADSA në bashkëpunim me Bashkinë Peqin dhe shoqatën MEDPAK, është punuar për ngritjen e një teatri gjithëpërfshirës, ku në qendër janë pikërisht personat me aftësi të kufizuar.

Falë këtij projekti është synuar përfshirja e personave me aftësi të kufizuara në të gjitha aspektet, në aksesibilitet infrastrukturor, në planin social dhe atë artistik-kulturor.

Kështu, aktualisht janë vendosur rrampat në institucionet përkatëse si: pranë Spitalit, pranë Bashkisë,pranë Shkollës 9-vjeçare “Demir Godelli”, pranë Shkollës 9-vjeçare “Adem Bedalli”, Qendrës Kulturore “Ferdinand Deda” etj ndërsa ashensorët janë instaluar pranë Spitalit dhe Bashkisë, duke siguruar kështu edhe infrastrukturën e duhur për aksesin e këtyre personave.

Për ngritjen e stafit teatral, vullnetarët dhe operatorët janë trajnuar nga ‘Operatorët e Teatrit Social’ të Milanos. Teatri gjithëpërfshirës përbëhet nga rreth 25 persona, ku 15 prej tyre me aftësi të kufizuara.

Gjithashtu, Bashkia e Peqinit ka bërë të ditur se do të vijojë mbështetjen ndaj personave me aftësi të kufizuar për të mbrojtur të drejtat e tyre si dhe për të shmangur diskriminimin dhe keqardhjen, si dy nga fenomenet me të cilat personat me aftësi të kufizuar anë te detyruar të jetojnë çdo ditë në Shqipëri.

Në thirrjen katërt për propozime të Programit Italo-Shqiptar të Konvertimit të Borxhit (IADSA) të mbyllur më 28 janar 2016, Bashkia e Peqinit u rendit me një nga 11 projektet e përzgjedhura nga fondi i financimit të konvertimit të borxhit në shumën prej 4 milionë Eurosh. Projekti pati një kohështrirje prej gati 2 vitesh dhe përfundon në muajin qershor të 2018. z.tosku/ /a.g/