Pas më tepër se 5 vitesh përpjekje për njohjen e kontributeve të emigrantëve shqiptarë në Itali, shteti fqinj ka prezantuar një plan 10-vjeçar për financimin e pensioneve.
Janë rreth 136.5 milionë euro që do të ofrohen për emigrantët shqiptarë duke nisur nga vitit 2023, deri në vitin 2032. Buxheti i dedikuar nis me 7.6 milionë euro për vitin e parë të aplikimit dhe mbyllet me 20.3 milionë në fund të këtij planifikimi buxhetor.
Vendimi i Italisë përgëzohet nga shoqatat e emigrantëve, por sërish fondi nuk mjafton për të mbuluar të gjithë pensionistët. “Janë 25 mijë pensionist që dalin çdo vit, dhe ka paqartësi për mënyrën e aplikimit, kush përfiton dhe kush përjashtohet”, thotë Beskida Aliaj, drejtuese e “INAS Albania”.
Në këtë situatë çdo neglizhencë nga pala shqiptare do të hidhte poshtë punën e shumë viteve. “Italia është e larë në këtë punë, tani i mbetet Shqipërisë. Urojmë të kryejnë komunikimin e duhur dhe mos të ketë zvarritje, pasi mund të digjet fondi”, thotë Aliaj.
Ndaj emigrantëve nuk është vetëm një detyrim ligjor për t’u zbatuar, por edhe një përgjegjësi morale për kontributin e tyre. “Emigrantët kanë mbajtur shtetin shqiptar me remitanca, ndryshe do kishte problem të mëdha. Duhet marrë shembull Italia që mbron çdo komunitet të tyrin, kudo nëpër botë me marrëveshje”, vijon ajo.
Sipas të dhënave janë mbi 200 mijë emigrantë shqiptarë që presin njohjen e pensioneve. Shteti Italian ka një kufij moshe 67-vjeç për daljen në pension, moshë të cilën po tentohet ta ulin në 62-vjeç për shkak të pamundësisë për të punuar aq gjatë.