Skip to content

Pelikani kaçurrel përzë investitorët gjermanë nga aeroporti i Vlorës

  • by

Një zog me flatra të bardha dhe krifë kaçurrele ka arritur atë që nuk ia doli dot shoqëria civile: të largojë gjermanët nga një projekt strategjik i qeverisë shqiptare, Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës.

Kompania “Flughafen München” (FMG) dhe dega e saj “Munich Airport International” kanë vendosur të tërhiqen nga angazhimi si konsulentë në ndërtimin dhe operimin e aeroportit.

Ka qenë pikërisht pelikani kaçurrel, simboli i lagunës së Nartës dhe një nga speciet më të rralla të shpendëve në Evropë, ai që i ka trembur gjermanët e Bavarisë, bashkë me një peticion të firmosur nga afro 600 qytetarë.

Vendimi i tërheqjes u bë publik më 8 Prill 2025, gjatë një seance të Këshillit Bashkiak të Mynihut.

Në dokumentet zyrtare të këshillit thuhet se gjermanët nuk kanë pasur rol dhe ndikim në përcaktimin e vendndodhjes ose vetë ndërtimin, por Partia e Gjelbër e përshëndeti largimin e kompanisë, duke kërkuar që aeroporti i Mynihut t’u përmbahet objektivave të veta për qëndrueshmëri mjedisore.

Por tërheqja e gjermanëve nuk do ta pengojë hapjen e aeroportit të Vlorës. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë i tha Televizionit Klan se punimet do të vijojnë normalisht nga koncesionari për t’u përmbyllur vitin e ardhshëm. Aktualisht, në aeroport është kryer pjesa më e madhe e punimeve.

Qeveria e konsideron këtë aeroport si një nga veprat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit në jug të vendit.

Pelikani kaçurrel mbajti peng për disa kohë edhe autostradën Levan – Vlorë, por nuk e pengoi ndërtimin e saj.