Pediatrja Lira Gjika: “Si t’i ndihmojnë fëmijët të kalojnë frikën e klasës së parë”

717
0

Pediatrja e njohur jep këshillat e veta për raportet që prindërit dhe mësuesit duhet të krijojnë me fëmijët. Si ndikon kalimin nga kopshti në klasën e parë dhe sa i rëndësishëm është ai

Nëse ka diçka që fëmijës duhet t’i mësohet, është që të projektohet në të ardhmen. Diçka e tillë kërkon të rritur të vetëdijshëm dhe prindër, që së pari pranojnë vetveten. Kalimet nga një hap i fëmijërisë, në një tjetër, janë faza të një udhëtimi që do të ndjekë kurbën e tij. Por si mund të bëjmë që ky udhëtim të vijë sa më i natyrshëm dhe frytdhënës? Sa i rëndësishëm është kontakti i parë i fëmijës me shkollën dhe librat? Sa është e nevojshme disiplina në të tilla raste dhe si duhet të sillen prindërit me të vegjlit e tyre? E lidhur me fëmijët prej një jete, tashmë edhe në krye të një kopshti që ka krijuar, pediatria Lira Gjika jep mendimin e saj për “Unë gruaja”…
Shumë fëmijë, këtë fillimjavë do të shkojnë për herë të parë në shkollë. Sa i rëndësishëm është ky moment dhe ajo çfarë ne e kemi quajtur “Klasa e parë” në raport me përvojat e mëparshme apo të mëpasme mësimore?
Klasës së parë dikur i është dhënë shumë rëndësi. Këto janë skemat e shkollës para ’58-s. Unë nuk i jap më rëndësi. E di pse ishte dikur e rëndësishme? Se ishte kontakti i parë për shumicën e fëmijëve, që nuk shkonin as në kopsht. Por sot që fëmijët shkojnë në kopsht, nëse kopshti e ka bërë mirë punën nga mosha 0-5 vjeç, atëherë është tjetër gjë. Struktura gjuhësore mbaron 0-5 vjeç. Nëse duam të gënjejmë veten, eja ta gënjejmë. Në qoftë se është ndërtuar struktura, shkolla do të lehtësojë apo do të vështirësojë. Klasa e parë nuk ka ndonjë peshë të veçantë besoj. Pa dyshim te fëmija do të jetë frika, pasi fëmija është akoma i vogël dhe është akoma në natyrë. Ai nuk është bërë akoma vetja. Atij i është ndërtuar personaliteti, por është në gjendje procesi. Jo rastësisht 0-18 vjeç është fëmijë, se nuk ka mekanizma. Akoma nuk është i aftë të thotë fjalën e tij. Akoma nuk di dhe është duke mësuar. Por nuk e shoh këtë idealizimin e klasës së parë.
Megjithatë, duhet thënë se për shumë fëmijë është moment i rëndësishëm. Duam apo s’duam, shënon një hap tjetër në jetën e tyre. Nga jeta e lirë, fëmijët duhet t’u binden më tepër rregullave, disiplinës. Sa e rëndësishme është disiplina për një fëmijë që shkon në shkollë?
Jo. Nuk mund të themi disiplina. Ajo që ka rëndësi është rregulli. Disiplina është një gjë e ngurtë, ndërsa rregulli është si ai shkopi apo stacioni ku mbështetesh e vazhdon përpara, që nuk të lë të gabosh, por të ndihmon, edhe kur gabon. Të bësh që gabimin ta kesh një gjë me vlerë dhe jo një faj. Që ta kesh në favor të progresit tënd, të rritjes tënde. Të zbulimit të vetes tënde, të ndërtimit të vetëdijes. Një gjë që duhet, është që të jemi të vetëdijshëm për veten tonë. Është e detyrueshme të jemi të vetëdijshëm për veten tonë, potencialet tona dhe, që tani jemi në kohë dhe tani duhet të japim maksimumin. Këtë duhet t’i mësojmë fëmijës: Është koha të mësojmë tani e nesër do të mësojmë diçka tjetër! Që të mësojnë të zgjidhin ngadalë dhe nesër e bën më të pasur. Baza është rregulli. Do ta ndihmosh një fëmijë? Jepi rregullin.
Për shumë fëmijë, kalimi nga kopshti në klasën e parë mund të përjetohet me një lloj frike…
Po. Fëmijët sa e duan këtë kalim, aq e kanë frikë. Të gjithë tregojnë se kanë shumë frikë, se do të gjejnë shokë të rinj, njerëz të rinj dhe janë mësuar me një mjedis, mënyrë të sjelluri tjetër. Kurse tani duhet të jenë të disiplinuar në klasë, të durojnë për 30 minuta, 45 minuta, të dëgjojnë mësuesen, të pranojnë shokët e rinj. Mjedisi i ri gjithmonë provokon një lloj kërcënimi sepse nuk e njeh, ka të bëjë me të panjohurën. Por nëse i mësojmë sa e mirë është e panjohura, atëherë do të jetë ndryshe.

Pse është e mirë e panjohura?
E panjohura është e mirë se të intrigon, të krijon mundësinë për të ditur. Një njeri i ditur nuk është ai që thotë: unë i di të gjitha. Njeriu që di gjithçka ka vdekur. Njeriu, sa më të madhe e ka të panjohurën, aq më shumë ka për të ditur. Kjo është detyra e shkollës, të të mësojë ta kesh shumë të madhe të panjohurën. Është si puna e rrathëve, koncepti i Sokratit, që i padituri ka një rreth të vogël. Ndërsa unë kam një rreth të madh. Unë nuk shtoj të paditurën, unë shtoj të panjohurën, se rrethi është në kontakt me të panjohurën, që është universi. Prandaj shkencëtarët janë shumë të ditur. Edhe ata si ne janë, por ata e kanë më të madhe të panjohurën dhe operojnë me fantazinë dhe imagjinatën e tyre që ia dalin. Jo rastësisht njeriu është mbi natyrën, por duke respektuar ligjet e natyrës. Këtë duhet t’u themi fëmijëve. Njerëzorja është fat i madh, por jo ta lësh të mësosh vetëm disa fjalë. Por, pikërisht duke kultivuar gjuhën, duke kultivuar mendimin dhe duke zgjedhur fjalën e përshtatshme. Midis gjuhës dhe fjalës, është mendimi në mes. Gjuha lidhet me mendimin. Gjuha i prodhon të dyja, por gjuha është marrëdhënie në radhë të parë, është komunikim.
Ç’rol duhet të luajnë prindërit e veçanërisht nënat për të larguar frikën te fëmija dhe për t’i kultivuar bukur “të panjohurën”?
Prindi, nëna, duhet të pyesë fëmijën dhe t’i tregojë historinë e vet, sa frikë kishte kur shkoi vetë në shkollë për herë të parë, sa pikëpyetje kishte, sa e vështirë ishte ajo periudhë. Por tani që e kujton, qesh me disa gjëra. Por falë asaj eksperience me shkollën, ka mundur të zgjidhë probleme të mëdha në jetë. T’i tregojë që nuk është vetëm. T’i tregojë që ka shkuar në shkollë të mësojë: Ti nuk di dhe ndaj ke shkuar në shkollë, të mësosh! Dhe ajo zysha ka për detyrë të të mësojë. Të të tregojë ato që ke mësuar, jo ato që s’di. Unë jam këtu, që kur ta ndjesh, të vish tek unë me vrap e të më thuash: më kapi frika e unë të të them: bo, sa më ke ngjarë! Por do t’ia dalim bashkë, thjesht. Me mua dhe me zyshën. Po rritesh! Dhe është normale të kesh frikë, por nuk je vetëm! Ky është dialogu që bën prindi me fëmijën, që i jep të drejtë fëmijës. Në shkollë do të shkojë fëmija, mësimin do ta mësojë fëmija. Detyra e shkollës e parë është të organizojë mendimin e fëmijës dhe ai duke mësuar do të kuptojë rëndësinë e fjalës së tij dhe mundësisë së tij për të thënë jo fjalën e mësueses, por fjalën e vet. Këtë fjalë të dijë ta artikulojë me gojë e ta shkruajë. Shkolla është vendi ku organizohet mendimi. Familja është vendi ku edukohemi, ku marrim etikën në raport me veten, me mjedisin, me njerëzit e tjerë. Një shkollë e mirë e bën fëmijën të mendojë që ka dhe më. Nuk e fikson, nuk i jep fjalë të gatshme, por e nxit të zbulojë edhe më.