‘Pazar’ me Shqipërinë/ Gjermania ofron 50 mijë vende pune

434
0

Është ekonomia më e madhe në Europë, por duket se e ka shumë të vështirë të përballet me një ndër problemet më të mëdha të shekullit, plakjen e popullsisë.

Ky fenomen demografik po bën që çdo ditë e më shumë, forca punëtore në vend të shterojë. Madje, në sektorë të caktuar problematika është kthyer në alarmante. Është pikërisht kjo arsyeja kryesore e politikës gjermane të dyerve të hapura ndaj emigrantëve. Kjo politikë ka nisur edhe më herët se kriza e refugjatëve në Europë, e vitit 2015.

Spitalet gjermane prej vitesh kanë hapur dyert për të huajt. Kancelarja gjermane, Angela Merkel kërkon medoemos të ndryshojë fluksin migrator në vend, nëpërmjet një ligji të ri për migracionin, me qëllimin e vetëm, për ta bërë më të lehtë për të huajt që të gjejnë një punë në Gjermani.
Politika e dyerve të hapura duket se po hyn kështu në një fazë të dytë. Ligji i ri i emigracionit do të shoqërohet me një paketë 4 miliardë euro. Një ndër arsyet kryesore të kësaj politike është nevoja e pashmangshme për të mbushur vendet vakante në sektorët kyç, si ai i kujdesit shëndetësor. Bëhet fjalë për më shumë se 1 milion vende pune vakante, dhe për mos larguar kompanitë nga Gjermania po kërkohet staf. Shqiptarët, ndërkohë, duket se janë në fokus të ligjit të ri për shkak të potencialit që ofrojnë në sektorin e kujdesit shëndetësor.

Të rinjtë nga Shqipëria mund të ndihmojnë vendin që të mbushë 50 mijë vendet vakante në shëndetësi dhe sipas ministrit të shëndetësisë së Gjermanisë do përshpejtohen procedurat për dhënien e vizave për të huajt që duan të punojnë në sektorin e kujdesit shëndetësor në Gjermani.

Në 15 vitet e ardhshme, projektohet që sektori të ketë një mungesë prej 250 mijë profesionistësh. Vetëm emigrantët mund ta mbulojnë këtë hendek. Të dhënat e Urdhrit të Mjekut flasin mesatarisht për 150 kërkesa në vit nga mjekët shqiptarë për t`u larguar drejt Gjermanisë, çka bën që në 4 vitet e fundit të jenë larguar mbi 500 mjekë.

Për infermierët, ndërkohë, numri është bindshëm më i lartë, pasi flitet për rreth 3000 të larguar. Kjo tendencë mund të rritet edhe më shumë me ligjin e ri gjerman dhe nevojën në rritje për profesionistë. As politikat e reja të qeverisë shqiptare për të stimuluar ekonomikisht mjekët që punojnë në rrethe, nuk kanë pasur efekt në frenimin e dëshirës për t`u larguar nga vendi.