Ai që nisi si një “pastrim” i paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama, po merr përmasa të një riorganizimi kombëtar në pushtetin vendor.
Nga Shkodra në Sarandë, zëvendëskryetarë, drejtorë dhe administratorë po dorëzojnë postet njëri pas tjetrit nëpër bashki. Në pak ditë, në disa prej bashkive më të mëdha të vendit ka pasur tërheqje nga strukturat drejtuese, duke sinjalizuar një ndryshim të thellë në administratën lokale.
Sot, 15 korrik, janë gjashtë bashki ku raportohen largime.
Kanë dhënë dorëheqjen të gjithë drejtorët e bashkisë Sarandë.
Edhe në bashkinë e Vaut të Dejës mësohet se janë larguar tre zv.kryetarët e bashkisë, pesë administratorët dhe të gjithë drejtorët. E njëjta situatë me dorëheqje ka nisur në bashkinë Gjirokastër.
Kanë dhënë dorëheqjen 35 administratorë të bashkisë Dibër. Largime raportohen edhe në bashkinë Bulqizë dhe atë të Burrelit.
Dorëheqjet në këto bashki vijnë një ditë pas atyre në Elbasan, Korçë, Kukës, Shkodër e Lushnje.
Në Shkodër, vetëm disa orë pasi drejtorët e Bashkisë dhanë dorëheqjen, kryebashkiaku socialist, Benet Beci, bëri thirrje për të aplikuar në pozicionet e lira të punës.
Në Lushnje, duke marrë për bazë ultimatumin e kreut të qeverisë për reformimin dhe rritjen e performancës së pushteti vendor në vend, ministrja Belinda Balluku u kërkoi dorëheqjen 13 drejtorëve të kësaj bashkie. Balluku zhvilloi mbledhje dhe me 15 kryetarët e njësive administrative. Edhe këtyre të fundit, u kërkoi dorëheqjen e menjëhershme.
Në Elbasan, dhanë dorëheqjen disa drejtorë e administratorë. Njëjtë edhe në bashkinë e Kukësit dhe të Korçës.
Ndryshe nga sa më sipër, në bashkinë Konispol ka pak “devijim”. Mësohet se kryebashkiaku Ergest Dule, ka refuzuar të zbatojë urdhrin e Ramës, duke mos pranuar shkarkimin e drejtorëve në varësi të tij.
Kujtojmë se kreu i qeverisë ka urdhëruar “pastrim” të stafit të administratës dhe ristrukturim duke u hapur rrugë emërimeve të reja.
Në mbledhjen e djeshme, 14 korrik, me deputetë e drejtorë të bashkisë Tiranë, Rama vuri theksin te një sërë reformash që do mundësojnë shërbime më efikase ndaj qytetarëve.
Kujtojmë se më herët, dorëheqje masive ka pasur në bashkinë Vlorë, Fier dhe Durrës.