“Pashë vdekjen me sy”, flet e reja që u mbajt peng dhe u torturua nga i dashuri: Më futi 4 gishtat në..

10101
0

“Kam parë tmerr me sy, kam parë vdekjen me sy”. Kështu shprehet e tronditur 28-vjeçarja, e cila u mbajt peng nga i dashuri i saj 31-vjeçar dhe u torturua prej tij barbarisht. Ngjarja e rëndë, që ndodhi në një apartament në rrugën “Frosina Plaku” në Tiranë, duket se ishte e paralajmëruar. Kjo pasi siç rrëfen vetë e reja, Gleard Gusholli e kishte dhunuar edhe më parë.

Ata ishin njohur rreth 1 vit e gjysmë më parë dhe kishin qëndruar bashkë edhe në Gjermani, aty ku 28-vjeçarja jetonte e punonte. Edhe atje e kishte dhunuar dhe familja e saj e kishte përzënë nga shtëpia.

Por pavarësisht kësaj, siç rrëfen ajo vetë, e reja vendosi të vijë në Shqipëri për të bashkëjetuar me 31-vjeçarin. E ky i fundit, 1 javë pasi po bashkëjetonin, e mbylli në shtëpi dhe e dhunoi në formë barbare.

E dhunuara: Unë kam ardhur më datë 1 Prill për të bashkëjetuar me Gleardin. Java e parë ka kaluar mirë, nuk jemi zënë, kemi sistemuar shtëpinë tonë. Javën e dytë kam parë tmerr me sy, kam parë vdekjen me sy. Më ka kërcënuar, ‘do të hedh në lumë, do marr kushëririn tim tani në telefon, do të të hedh në lumë. S’do të të nxjerr nga shtëpia’. Unë vetë kam tentuar disa herë të hidhesha nga ballkoni se nuk e duroja dot më. Më gjuante me shkelma, me grushta në kokë, në fytyrë në trup. Më gjuante me një shkop që ishte me gozhda. Më gjuante në gjithë trupin, më nxirrte thikën, ma mbante te trupi, te këmba… ma mbante dhe më thonte që unë do ta çaj barkun. I lutesha, i thoja ‘ma hap derën dhe nuk më do, nuk më do në rregull, vetëm ma hap këtë derë që të dal nga kjo shtëpia’. Ai donte me u hakmarrë tek unë, ky ka qenë plani i tij.

-Po përse?

E dhunuara: Sepse ne kemi qenë 3 muaj të ndarë dhe në Gjermani ka filluar gjithë kjo dhunë. Prindërit e mi e kanë marrë vesh që ushtronte dhunë ndaj meje dhe e kanë nxjerrë nga shtëpia në Gjermani.

-Prej sa kohësh njiheshit?

E dhunuara: Ne njiheshim prej gati 1 viti e gjysmë. Në Gjermani më ka dhunuar, nuk e kam denoncuar, as unë as familja ime. Ky tani prej xhelozisë, sepse kemi qenë 3 muaj të ndarë, donte të hakmerrej. Ma merrte telefonin s’ma jepte, nuk ma hapte derën për të dalë. Nuk kontaktoja dot asnjeri.

-Po në Gjermani bashkëjetonit?

E dhunuara: 1 muaj e gjysmë kemi bashkëjetuar dhe pastaj prindërit e mi e nxorrën nga shtëpia, i thanë merr gjërat dhe dil nga shtëpia.

-Ai ishte vetëm në kohën që keni qëndruar me të në apartamentin në Tiranë dhe a kanë ushtruar dhunë persona të tjerë ndaj jush?

E dhunuara: Personat të tjerë nuk kanë ndikuar në këtë dhunë, por e di që fliste në telefon, dilte në ballkon dhe fliste në telefon. Shkruante mesazhe, më kërcënonte që do vijë shoku im tani, do të bëjmë të pamundurën që të të torturojmë, do të të vdes, do të të hedh në lumë.

-Kush ju solli në spital?

E dhunuara: Në spital, herën e fundit u zumë sepse e pyeta përse nuk i lejohet atij të hyjë në Gjermani. Ai këtë gjë nuk e dinte, kështu më thoshte mua, që nuk e di këtë gjë dhe akuzonte dhe prindërit e mi dhe mua që ne e kemi denoncuar. Ne nuk kemi bërë as denoncim atëherë asgjë, dhe në këtë moment ai merr gocën e dajës në telefon dhe i thotë të lutem më gjej një avokat në Gjermani, që të marr vesh pse nuk më lejohet të futen në këtë vend. Në atë moment ajo thoshte disa herë që të lutem mos u zini sepse e merrte vesh që unë bërtisja. Sa herë bërtisja unë, ai e fikte telefonin, më gjuante, më godiste. Më thoshte do të vras. Ndërkohë folën prapë në telefon dhe aty i kërkova ndihmë, kjo ishte e fundit që unë mund të bëja, edhe pse e dija që ai ndoshta mund të më vriste mua. Por kërkova ndihmë i thashë të lutem Olta hajde më ndihmo. E fiku telefonin, në atë kohë, më fuste 4 gishtat në grykë deri në fund dhe me ma marrë shpirtin. Në atë moment unë e dija që ok po vdes, tani po jap avash-avash shpirt.

-Me çfarë merrej?

E dhunuara: Është regjistruar tek agjencia e motrës dhe te e nënës së vet.

-A ishte në punë?

E dhunuara: Jo!

-Sa vite kishit bashkë, i kishte shfaqur këto shenja?

E dhunuara: Në Gjermani më ka dhunuar po, edhe këtu në Shqipëri që më ka dhunuar…

-Si u njohët?

E dhunuara: Unë kam lindur dhe jam rritur në Gjermani, jam infermiere. Dhe Gleardi në atë kohë ka qenë në qytetin ku jetoj unë edhe ka kërkuar ndihmë sepse nuk ndihej mirë. Unë si shqiptare kam dashur ta ndihmoj sepse nuk e dinte as gjermanishten dhe kam dashur ta ndihmoj.

-Këtu u kthyet për të jetuar bashkë?

E dhunuara: Këtu u kthyem për të jetuar bashkë!

-A ka qenë konsumator droge, dhe a ju ka detyruar të konsumoni drogë gjatë kësaj periudhe?

E dhunuara: Ai vetë më ka thënë që nuk e konsumon më kokainën. Ndërkohë kur erdha unë këtë e konsumonte në sytë e mi dhe më thonte pije. Unë  i kam thënë disa herë, nuk e pi dhe jam gjendur dhe unë në siklet se do thoja do më vrasë. Do më rrahë dhe isha e detyruar ta konsumoja dhe unë. Këto 5 ditët e fundit e kam konsumuar po, herët e tjera unë kurrë nuk kam patur lidhje me drogën.

-Tani çfarë do bësh?

E dhunuara: Mua s’ka çfarë më mban në Shqipëri. Unë kam ardhur këtu për të krijuar familjen time me Gleardin. Ai nuk e ka dashur këtë gjë, më ka sjellë këtu për t’u hakmarrë me mua.

-Po me familjarët e Gleardit keni folur?

E dhunuara: Unë vetë nuk kam folur. Atë ditë që erdhi pastaj Olta për të më ndihmuar, ai rreth 15 herë mi fuste gishtat në fyt dhe donte me më mbyt. Pastaj kur e gjeti çelësin me hap derën ishte kunati i Gleardit, çuni i dajës dhe Olta, goca e dajës.

-Çfarë veprimesh bënë ata?

E dhunuara: Djemtë vajtën tek Gleardi, e nxorrën nga shtëpia. Olta ndenji tek unë. Më veshi ca rroba, se isha nudo.

-Të rrihte nudo?

E dhunuara: Jo më kishte futur më parë në dush dhe donte me më mbyt aty.

-Policia thotë që përdorte dhe një këmbë karrige…

E dhunuara: Po me atë më gjuante. Ajo ishte me vida, me gozhda, me atë më gjuante.

-Banesa e kujt ishte këtu në Tiranë?

E dhunuara: Banesa është në emrin e mamasë së vet.

-Jetonte vetëm apo me prindërit?

E dhunuara: Aty jetonim ne të dy vetëm.

-Pra do largohesh, kanë ardhur prindër për të të marrë?

E dhunuara: Babai ka ardhur.

-Do largohesh në Gjermani?

E dhunuara: Po.

-Do ndjekësh procesin gjyqësor dhe çfarë pret nga drejtësia?

E dhunuara: Unë kërkoj drejtësi që ai ta marrë atë dënimin që i takon atij. Atë që më ka bërë mua ai, unë shpirtërisht jam e vdekur. Jo vetëm shpirtërisht, por edhe psikologjikisht nga çdo anë.